Kosova
Kryesore

KRU “Prishtina” paralajmëron aksione të ashpra ndaj borxhlinjve dhe lidhjeve ilegale të ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se do të vazhdojë me intensitet të shtuar aksionin për ndëshkimin e konsumatorëve që kanë borxhe ndaj shërbimeve të ujit të pijshëm.

Në një komunikatë për media, KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se aksioni do të zgjasë deri në fund të vitit 2025, duke synuar mbledhjen e të gjitha detyrimeve nga konsumatorët, si pjesë e një plani të vazhdueshëm për garantimin e furnizimit të rregullt me ujë të trajtuar.

“Si pjesë e planit të vazhdueshëm në mbledhjen e detyrimeve për garantim me furnizim me ujë të pijshëm, aksioni për ndëshkimin e konsumatorëve me borxhe ndaj shërbimeve të ujit do të vazhdojë deri në fund të vitit 2025. Por kësaj here me intensitet edhe më të shtuar,” thuhet në njoftim.

Kompania ka qenë e prerë edhe ndaj lidhjeve ilegale, duke paralajmëruar “0 tolerancë” për çdo rast të tillë dhe masa të ashpra për ata që shkelin rregullat.

“S’ka ujë të trajtuar, pa paguar faturat!” përfundon njoftimi i KRU-së.

Ky aksion vjen si përpjekje për të rritur nivelin e pagesave dhe për të garantuar cilësi dhe vazhdimësi në shërbimin me ujë për të gjithë qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button