Zjarr katastrofik në Francë: Mbi 16.000 hektarë të djegur dhe një viktimë, zjarrfikësit ende në luftë me flakët

Zjarrfikësit francezë po vazhdojnë për të tretën ditë radhazi përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin më të madh që ka goditur Francën në gati tetë dekada. Zjarri ka shkrumbuar mbi 16.000 hektarë tokë, ka shkaktuar vdekjen e një personi, ndërsa tre persona rezultojnë të zhdukur dhe dy të tjerë, përfshirë një zjarrfikës, janë në gjendje të rëndë, kanë konfirmuar autoritetet lokale.
Pamjet dramatike të publikuara nga Reuters TV tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që ngrihen mbi pyjet e djegura në rajonin Aude, në jug të Francës, afër kufirit me Spanjën dhe Detit Mesdhe. Dronët kanë filmuar sipërfaqe të tëra të shkrumbuara, duke dëshmuar përmasat katastrofike të zjarrit që ka shkatërruar dhjetëra shtëpi.
Zjarri nisi të martën dhe është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një zonë që për nga madhësia tejkalon një herë e gjysmë sipërfaqen e Parisit. Zyrtarët francezë e kanë cilësuar si zjarrin më të madh që nga viti 1949.
“Deri tani, zjarri nuk është vënë nën kontroll,” deklaroi të enjten Christophe Magny, një nga drejtuesit e operacionit të shuarjes së zjarrit, për televizionin BFM. Ai shtoi se shpreson që flakët të vihen nën kontroll më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, ministrja e Mjedisit, Agnes Pannier-Runacher, tha për radion France Info se përhapja e zjarrit është ngadalësuar, por rreziku mbetet ende i lartë. Zyra meteorologjike franceze ka paralajmëruar për një valë të re të të nxehtit që do të godasë pjesë të tjera të jugut të vendit nga e premtja dhe që pritet të zgjasë për disa ditë.
Sipas ekspertëve të klimës, verërat gjithnjë e më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut po rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve të mëdha dhe shkatërruese si ky. /REL