Thaçi dorëzon dosjen paraprake në Hagë: Mbrojtja akuzon Prokurorinë për ndikim në rastin e krimeve të luftës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ku akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Sipas dosjes së dorëzuar nga avokatja Sophie Menegon, mbrojtja pretendon se ky rast është përpjekje e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të ndikuar në rezultatin e procesit kryesor ndaj Thaçit, i cili bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja thotë se Prokuroria po e ngarkon Thaçin dhe ekipin e tij me procedura paralele për ta penguar në përgatitjen e mbrojtjes, duke krijuar faktorë paragjykues që mund të ndikojnë në rezultatin e gjykimit për krime lufte.
Sipas avokates Menegon, ZPS ka abuzuar me masat hetimore të vitit 2023 dhe ka ndryshuar bazën e akuzave për të justifikuar veprimet e saj. Mbrojtja argumenton se Thaçi akuzohet për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” – një vepër që, sipas tyre, nuk është aplikuar asnjëherë në Kosovë në kontekstin e ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve.
Në dosje thuhet se Prokuroria po vazhdon të zbulojë prova edhe pas dorëzimit të dosjes paraprake, duke e vështirësuar punën e mbrojtjes. Menegon thekson se rasti është dëmtuar nga fillimi për shkak të “defekteve procedurale” dhe se aktakuza është konfirmuar nga një trup gjykues i përbërë në kundërshtim me ligjin, duke e bërë atë “të pavlefshme”.
Mbrojtja thekson se zhvillimi paralel i dy gjykimeve – për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë – është i paprecedent në të drejtën ndërkombëtare dhe cenon të drejtën e Thaçit për mbrojtje efektive.
Gjithashtu, mbrojtja e Thaçit e konsideron të mangët aktakuzën e ZPS-së, duke thënë se ajo nuk identifikon qartë se cilët persona zyrtarë pretendohet të jenë penguar, ndërsa provat mbështeten kryesisht në dokumente e jo në dëshmi gojore.
Në përfundim, mbrojtja thekson se rasti i Prokurorisë mbështetet në “pretendime të gabuara faktike dhe interpretim të pasaktë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, duke kërkuar që Gjykata të mos lejojë dënim për sjellje që “nuk do të përbënte vepër penale në një gjykatë të zakonshme të Kosovës”.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa dosja paraprake e mbrojtjes së tij është dorëzuar më 20 tetor dhe u publikua me redaktimet përkatëse më 23 tetor 2025.



