Lajme

Kroacia refuzon pjeshkët shqiptare për përmbajtje të lartë nikeli, AKU ndërmerr veprime

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas njoftimit të marrë nga sistemi europian për sigurinë ushqimore, RASFF, lidhur me një ngarkesë pjeshkësh me origjinë nga Shqipëria që u refuzua nga autoritetet kroate.

Sipas RASFF, më 22 gusht 2025, Kroacia raportoi për praninë e nikeli mbi normat e lejuara në një sasi pjeshkësh shqiptare. Ngarkesa prej 5.562 kilogramësh u ndalua në kufi dhe nuk u lejua të hynte në tregun kroat.

Pas marrjes së njoftimit, AKU ndërmori menjëherë veprime hetimore. Drejtoria Rajonale e AKU-së në Fier kreu inspektim në operatorin eksportues, ku u verifikua se nuk kishte më pjeshkë në magazina. Subjekti kishte sistem gjurmueshmërie dhe u konstatua se i gjithë produkti ishte dërguar për eksport dhe nuk ishte shpërndarë në tregun vendas.

Autoritetet kroate asgjësuan ngarkesën pas analizave laboratorike, ndërsa rasti është referuar edhe tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) për masa të mëtejshme. AKU gjithashtu ka përditësuar sistemin RASFF me informacionin mbi veprimet e ndërmarra.

Ky incident nënvizon rëndësinë e kontrollit të cilësisë së produkteve për eksport dhe monitorimit të përmbajtjeve të metalit të rëndë në frutat shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button