Kriza në industrinë gjermane të automobilave: Mbyllet kompania ae në Turingi, humbin punën 600 punëtorë

Kriza në industrinë gjermane të automobilave po thellohet, duke lënë pasoja të rënda edhe tek furnizuesit. Grupi ae në Gerstungen, Turingi, pritet të mbyllë përfundimisht prodhimin, duke shkaktuar humbjen e rreth 600 vendeve të punës. Vendimi pritet të konfirmohet nga komiteti i kreditorëve të hënën, shkruan Bild, transmeton albinfo.ch.
Kompania, e specializuar në prodhimin e pjesëve të aluminit të derdhura për karroceri, transmetime dhe motorë, kishte paraqitur kërkesë për falimentim në shkurt 2024. Në atë kohë, ae punësonte rreth 1,000 persona, por përpjekjet për tërheqjen e investitorëve të rinj dështuan. Administratori i falimentimit, Romy Metzger, tha për Thüringer Allgemeine se situata aktuale “më shumë duket si fundi, sesa një fund i lumtur”.
Pavarësisht se kompania konsiderohej e pozicionuar mirë në treg, asnjë ofertë e qëndrueshme nuk u paraqit. Konsulenti i menaxhimit Roland Berger raportoi se kishte kontaktuar 146 kompani në mbarë botën, por të gjitha refuzuan. Klienti kryesor, ZF Friedrichshafen, nuk pranoi as ofertën e një sipërmarrësi nga Aachen, duke e konsideruar si të paplotë.
Autoritetet lokale kanë negociuar një plan social dhe kanë krijuar një kompani transferimi për të lehtësuar pasojat e mbylljes. Megjithatë, kryetari i bashkisë së Gerstungenit, Daniel Steffan (CDU), paralajmëroi se ndikimi mbi komunitetin do të jetë “serioz”.
Sipas komunës, shkaqet kryesore të krizës janë kostot e larta të energjisë, burokracia në rritje dhe vështirësitë e përgjithshme që po përjeton industria gjermane e automobilave.