Lajme
Kryesore

Kriza e fuqisë punëtore godet rëndë sektorin minerar në Shqipëri

  • Sektori minerar në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë të fuqisë punëtore, një problem që sipas një raporti të Inspektoratit Qendror dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), është duke u përkeqësuar nga viti në vit.

Raporti thekson se mungesa e punëtorëve është bërë një pengesë serioze për zhvillimin e industrisë, duke detyruar shumë subjekte të mbyllin aktivitetin ose të reduktojnë ndjeshëm operacionet. Sipas dokumentit, punëtorët që punësohen shpesh janë në moshë të madhe dhe pa përvojën e nevojshme, çka rrit ndjeshëm rrezikun në punë.

“Problematikat e hasura në subjektet minerare janë problematika që vazhdojnë ndër vite dhe sa po vinë e po thellohen akoma më shumë. Kjo ka sjellë mbylljen e disa subjekteve dhe reduktim të aktivitetit tek pjesa tjetër,” thuhet në raport.

Ndërkohë, situata është bërë edhe më shqetësuese për shkak të mungesës së specialistëve. Universitetet, veçanërisht ai Politeknik, nuk po prodhojnë mjaftueshëm profesionistë të rinj në këtë fushë, duke rrezikuar të ardhmen e industrisë minerare në vend.

“Mungesa e drejtuesve teknik është përsëri një problem që po bëhet akoma më shumë i ndjeshëm. Mungesa e daljes së specialistëve të rinj nga universiteti Politeknik, po sjell një perspektivë të zymtë për industrinë minerare,” thekson raporti.

Përveç mungesës së fuqisë punëtore dhe specialistëve, raporti evidenton edhe pengesat burokratike që po hasin subjektet sipërfaqësore, të cilat shpesh ndalohen nga strukturat e pushtetit vendor për të vijuar punimet për shkak të problemeve me lejet e shfrytëzimit nga fondet pyjore dhe kullosore.

Gjatë vitit 2024, AKSEM ka programuar 626 inspektime dhe ka realizuar 642, nga të cilat 20 jashtë programit, duke reflektuar një përkushtim për të monitoruar situatën në terren, por që megjithatë nuk mjafton për të zgjidhur sfidat që po e trondisin këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button