Krasniqi deklarohet i pafajshëm për akuzat e ngacmimit seksual në seancën e parë gjyqësore

Profesori i pezulluar i Fakultetit të Mjekësisë, Xhevat Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës për ngacmim seksual, në seancën e parë të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Absolutisht i pafajshëm”, ishte deklarimi i tij pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Pas deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari Bujar Ahmeti ndërpreu seancën dhe e njoftoi atë për të drejtën e kundërshtimit të provave brenda afatit ligjor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 10 prill 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Krasniqi dyshohet se gjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka ndërmarrë sjellje verbale të padëshiruara me përmbajtje seksuale ndaj katër studenteve, me qëllim të cenimit të dinjitetit të tyre.
Ai akuzohet për veprën penale të “Ngacmimit seksual”, sipas nenit 183, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, më 23 prill 2024, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” bëri të ditur se kishte pezulluar nga puna profesor Krasniqin, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës, lidhur me denoncimet për ngacmim seksual.
Procesi gjyqësor ndaj tij pritet të vazhdojë në muajt në vijim.