Arben Gashi kërkon respektim të rregullores për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit: “Votimi i hapur është praktikë e konsoliduar”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pas përpjekjeve për të ndryshuar mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se një vendim i tillë nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme nga kryesuesi i seancës.
Në një deklaratë publike, Gashi nënvizoi se procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është përcaktuar qartë në Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe se ajo është interpretuar në mënyrë të qëndrueshme nga legjislaturat e mëparshme. Ai theksoi se kjo është konfirmuar edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kërkojnë ndjekjen e praktikës së konsoliduar, ku votimi ka qenë i hapur.
“Procesi i konstituimit të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit, është një element thelbësor për garantimin e funksionimit të institucioneve dhe për zhbllokimin e ngërçit politik”, tha Gashi. Ai shtoi se çdo tentativë për ta kthyer këtë proces në votim të fshehtë mund të bëhet vetëm nëse ekziston një konsensus i gjerë dhe gjithëpërfshirës mes grupeve parlamentare.
Deputeti i LDK-së paralajmëroi se kryesuesi i seancës nuk ka kompetencë për të ndryshuar rregullat në mënyrë të njëanshme, duke kujtuar se roli i tij është teknik dhe i përkohshëm.
“Respektimi i rregullores, i vendimeve të Kryesisë dhe i praktikës së deritanishme është rruga e vetme për të ruajtur legjitimitetin institucional, për të ndërtuar konsensus dhe për të zhbllokuar funksionimin normal të Kuvendit në interes të qytetarëve dhe të demokracisë”, përfundoi Gashi.