Kosova

KQZ shpjegon mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Pas hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se mënyra e plotësimit të fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 mbetet e njëjtë me ato të viteve të kaluara, pasi Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk ka pësuar ndryshime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se secili votues do të marrë dy fletëvotime: një për Kryetar Komune dhe një për Kuvendin Komunal.

Si plotësohet fletëvotimi për Kryetar Komune?
Fletëvotimi me kornizë të verdhë përmban emrat e kandidatëve për kryetarë së bashku me subjektet politike që përfaqësojnë. Votuesi duhet të shënojë vetëm një kandidat, duke vendosur shenjën në katrorin pranë emrit të tij.

Si plotësohet fletëvotimi për Kuvend Komunal?
Fletëvotimi me kornizë të kaltër ka dy pjesë: në anën e majtë votuesi zgjedh një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë mund të votojë vetëm një kandidat nga lista e atij subjekti. Në rast se shënohen më shumë kandidatë, llogaritet vetëm vota për subjektin politik.
Elezi sqaroi gjithashtu se vota për subjektin politik llogaritet automatikisht edhe për bartësin e listës.

A mund të votohet për subjekte të ndryshme?
Po, kjo është e lejuar. “Votuesi ka të drejtë të votojë në mënyrë të pavarur për secilën garë. Pra, mund të zgjedhë një kandidat për Kryetar Komune nga një subjekt politik dhe një subjekt tjetër për Kuvend Komunal, pasi këto janë procese të ndara me fletëvotime të veçanta”, tha Elezi.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe përbërjet e kuvendeve komunale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button