Kosova
Kryesore

Arrestimi i një piloti kroat dhe të dashurës së tij serbe: A u rrezikua siguria kombëtare e Kosovës?

Një pilot kroat dhe partnerja e tij serbe nga Mitrovica e Veriut janë arrestuar së fundi në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë. Sipas mediave kroate, i dyshuari – i identifikuar si J.I., ish-pjesëtar i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) – dyshohet se ka shpërndarë informacione të ndjeshme me të dashurën e tij A.M., e cila më pas raportohet se i ka përcjellë ato te struktura politike serbe në Kosovë.

Hetuesit kroatë kanë gjetur komunikime komprometuese në pajisjet e tyre, ndërsa çifti ndodhet në paraburgim. Autoritetet në Zagreb po e mbajnë procesin hetimor të fshehtë, me arsyetimin për të mos dëmtuar hetimet.

Në Kosovë, rasti ka ngritur pyetje mbi sigurinë kombëtare. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë komente, por njohësit e sigurisë paralajmërojnë për pasoja më të gjera.

Sipas hulumtueses Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, nuk ka dëshmi që janë komprometuar informacione kritike mbi Kosovën apo Forcën e Sigurisë së Kosovës. Megjithatë, ajo thekson se “siguria kombëtare është cenuar nga përpjekjet e shërbimeve serbe dhe ruse për të depërtuar në struktura të ndjeshme dhe për të testuar rezistencën e sistemeve të sigurisë”.

Ndërkohë, eksperti Burim Ramadani e quan rastin “një dëshmi të luftës së ashpër që Serbia, në bashkëpunim me shërbime të tjera, zhvillon kundër Kosovës dhe NATO-s”. Ai shton se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e shtetases A.M., në mënyrë që ajo të përballet me drejtësinë në vendin ku dyshohet se ka kryer veprimtarinë.

Pas publikimit të rastit nga mediat, Policia e Kosovës bastisi banesën e saj në Mitrovicë të Veriut, ku gjeti sprej, gëzhoja dhe fishekë. Raportohet se A.M. ka punuar më herët edhe në misionin e BE-së për sundim të ligjit (EULEX).

Mediat kroate shkruajnë se ajo për tre vjet kishte mbledhur të dhëna mbi lëvizjen e pjesëtarëve të KFOR-it dhe i kishte dërguar përmes platformave të enkriptuara. NATO reagoi duke thënë se “i merr me seriozitet” akuzat dhe se siguria e trupave dhe e informacionit të klasifikuar mbetet prioritet.

Në Kosovë shihen si shqetësuese boshllëqet e koordinimit mes NATO-s, Kroacisë dhe institucioneve vendore. Ekspertët paralajmërojnë se rasti mund të ketë dimensione më të gjera, duke përfshirë edhe përfshirjen e Rusisë në mbledhjen e informatave të ndjeshme në rajon.

Në misionin e KFOR-it në Kosovë aktualisht shërbejnë rreth 4.800 trupa ndërkombëtare, prej tyre 152 nga Kroacia.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button