
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga e hëna, më 27 tetor, ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Kjo periudhë, e cila zgjat nga 27 tetori deri më 8 nëntor 2025, u mundëson 29,712 shtetasve të Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar me postë.
Sipas KQZ-së, këta votues i përkasin komunave që janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve, përfshirë:
Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
Edhe pse rezultatet përfundimtare të raundit të parë nuk janë certifikuar për të gjitha komunat, KQZ ka arsyetuar nisjen e hershme të procesit me qëllim shmangien e vonesave.
“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë,” thuhet në njoftim.
Deri tani, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 komuna, ndërsa Prishtina, Juniku dhe Mamusha mbeten ende pa certifikim për shkak të ankesave në PZAP.
KQZ ka bërë të ditur se pakot për votuesit jashtë vendit janë përgatitur dhe përmbajnë një fletëvotim, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin për votim, zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
Votuesit duhet t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre në njërën nga kutitë postare të hapura nga KQZ në shtetet ku ata jetojnë.
Kutitë postare për votimin jashtë Kosovës janë hapur në këto shtete:
Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.




