KQZ miraton ridestinimin e buxhetit për zgjedhje mes kritikash për keqmenaxhim dhe mungesë analize

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar ridestinimin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve, mes akuzave për mungesë analize dhe vonesa në përgatitjen financiare. Vendimi u miratua me gjashtë vota për, dy kundër dhe një abstenim.
Anëtarë të ndryshëm të KQZ-së kanë ngritur kritika ndaj Sekretariatit për moskryerje të analizave të nevojshme dhe për dërgimin e kërkesave të fryra për fonde në Qeveri. Ata thanë se ky ridestinim është bërë me shumë vonesë dhe pa përgatitje të duhur.
Muharrem Nitaj, përfaqësues i AAK-së, tha se nuk ka pasur përgjigje zyrtare nga Qeveria, por kritikoi edhe vetë komisionin për vonesat në projeksionin e ri buxhetor.
“Tani komisioni e bën një projeksion tjetër buxhetor dhe e bën me shumë vonesë. Nuk i kontestoj analizat e tyre për ridestinim, por konsideroj që nuk ka qenë punë e realizuar siç duhet,” u shpreh Nitaj.
Nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti tha se kërkesat e tyre kanë qenë të vazhdueshme, por Sekretariati ka dështuar të bëjë analizat e nevojshme për planifikim buxhetor.
“Nuk është hera e parë që organizojmë zgjedhje. Analiza për kërkimin e buxhetit nuk ka qenë reale. Kemi ardhë në një situatë që po më duket qesharake,” tha Hamiti.
Edhe përfaqësuesi i PDK-së, Ilir Gashi, ngriti shqetësimin për neglizhencën institucionale dhe kërkoi përgjegjësi për kërkesat e tepruara.
“Kërkesa është mbi 6 milionë euro. 6 milionë euro ja keni huq? Pse është dashtë me prit 30 ditë për me ardhë te ridestinimi i buxhetit?” pyeti Gashi.
Ndërkohë, përfaqësuesi i VV-së, Alban Krasniqi, tha se teprica buxhetore e vitit 2024 që nuk është shfrytëzuar arrin në rreth 2 milionë euro, ndërsa për mallra dhe shërbime janë ridestinuar afro 1.7 milionë euro.
Vendimi i sotëm për ridestinimin e buxhetit mbetet vendimtar për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, por debati i nxehtë në mbledhje nxori në pah shqetësime serioze mbi transparencën dhe menaxhimin financiar brenda institucionit.