Kosova

Qytetarët pa adresë zyrtare nuk do të pajisen me dokumente që nga 1 gushti – AKK paralajmëron ndalimin e shërbimeve

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) mbajti sot një konferencë për media për të njoftuar qytetarët lidhur me zbatimin e fazës së re të projektit “Ndërlidhja e qytetarit me adresën zyrtare”. Drejtori i AKK-së, Avni Ahmeti, bëri të ditur se nga data 1 gusht 2025, qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën zyrtare nuk do të kenë mundësi të pajisen me dokumente të rëndësishme si certifikata e lindjes apo ajo e pronësisë.

“E dimë që kjo temë mund të duket thjesht administrative, por në thelb lidhet me funksionimin e shtetit, të drejtën për qasje në shërbime, dhe sigurinë qytetare. Një qytetar pa adresë të saktë është një qytetar i përjashtuar nga sistemi”, tha Ahmeti.

Ai njoftoi se që nga 1 tetori 2024, kur ka nisur zbatimi i projektit, janë mbi 220 mijë qytetarë që kanë bërë deklarimin e adresës së tyre, por kjo shifër mbetet ende e pamjaftueshme.

Sipas tij, deklarimi i adresës mund të bëhet në dy mënyra: fizikisht në komunë apo online përmes platformës E-Kosova. “Çdo qytetar mund ta kryejë këtë proces lehtësisht, nga telefoni apo kompjuteri i tij, në vetëm pak minuta”, u shpreh ai.

Ahmeti e quajti këtë një reformë të rëndësishme drejt digjitalizimit dhe standardizimit të shtetit dhe shtoi se vetëm në vitin e fundit janë vendosur 341,756 tabela me numra hyrjesh në 20 komuna të Kosovës, ndërsa në katër komunat veriore tashmë është përmbyllur procesi i identifikimit, kodifikimit dhe emërtimit të rrugëve.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Regjistrit Civil, Blerim Camaj, theksoi se qytetarët që nuk e kanë të regjistruar adresën e saktë do të mbesin pa shërbime civile nga 1 gushti. “Nuk mund të pajisen qytetarët me asnjë shërbim të gjendjes civile pa adresë të saktë në të gjithë territorin e Kosovës”, deklaroi ai.

Institucionet inkurajojnë qytetarët që të mos e vonojnë këtë proces, pasi pas 1 gushtit do të hasin në pengesa serioze për dokumente dhe shërbime administrative.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button