KPM nënshkruan marrëveshje me TikTok për trajtimin e përmbajtjeve që ndikojnë në zgjedhje dhe standardet mediale
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka njoftuar një bashkëpunim të ri me zyrën e TikTok-ut në Evropë, me qëllim trajtimin e ankesave mbi përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, si dhe për shkelje të standardeve mediale jashtë periudhave zgjedhore.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i KPM, Besnik Berisha, gjatë një interviste në “Përballje Podcast” të Telegrafit.
“Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar që ankesat që vijnë në raport me TikTok-un, ne mund t’i adresojmë direkt atje. Ata janë angazhuar vullnetarisht që brenda 24 orëve të trajtojnë çdo ankesë të dërguar nga KPM,” tha Berisha.
Sipas tij, ky mekanizëm krijon një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me platformën, duke siguruar që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose që mund të shkaktojë dëme të theksuara, të shqyrtohet dhe të marrë vendim brenda një periudhe shumë të shkurtër.
“Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për të dërguar ankesat e tyre. Pas pranimit të ankesës nga KPM, TikTok shqyrton dhe vendos për përmbajtjen brenda 24 orëve,” shtoi ai.
Ky bashkëpunim synon të rrisë përgjegjshmërinë e platformave digjitale në Kosovë dhe të sigurojë një proces më transparent dhe të shpejtë për adresimin e përmbajtjeve problematike.



