KosovaKryesoreLajme
Kryesore

Kosovë/ Vetëvendosje kërkon marrëveshje, seanca konstituive shtyhet për…

Është shtyrë sërish seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi marrëveshje politike.

Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, është shprehur se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë. Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit.

Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve, më 23 prill.

Sot seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para nisjes së seancës deklaroi se për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, përgjegjësia i takon atij që e propozon. Ai ka thënë se nëse nuk arrihet që të votohet për të, duhen shqyrtuar edhe opsionet tjera që parashihen me Kushtetutë.

“Edhe sot ne jemi këtu për ta mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe për të ecur përpara, normalisht që për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit është përgjegjësia e atij që e propozon dhe besoj se edhe atyre u takon që t’i bëjnë votat nëse munden. Nëse jo, mendoj se duhet menduar edhe për opsione të tjera, të cilat parashihen me Kushtetutë”, ka thënë Krasniqi teksa po hynte në Kuvend, ku pritet të fillojë seanca konstituive.

Kujtojmë se në seancën e 19 prillit u arrit të bëhej betimi i deputetëve të rinj duke lënë pas ngërçin e nisjes së kësaj legjislature të re.

Kurti dhe kabineti i tij paraqitën dorëheqjet formale ndërsa Albulena Haxhiu, kandidatura e VV për Kryeparlamentare, u rrëzua dy herë në votim.

VV të shtunën siguroi 57 vota në parlament, madje pa numrat e partisë së Fatmir Limajt nisma Socialdemokrate.

Kurtit tani i duhen edhe 4 vota për të kaluar kryeparlamentaren e re dhe qeverinë e re.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button