Kosova përballet sonte me Slloveninë: Synon fitore historike drejt Kupës së Botës 2026

Kosova do të zbresë sonte në fushë kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Në prag të ndeshjes, trajneri Franco Foda dhe portieri Aro Muric kanë shfaqur besim të madh për një rezultat pozitiv, duke e vlerësuar këtë takim si vendimtar për ecurinë në grup.
Muric u shpreh optimist për fitore, duke theksuar progresin që ka bërë përfaqësuesja e Kosovës në vitet e fundit.
“Jam shumë i lumtur me formën time. Pres një fitore sonte. Do të bëjmë gjithçka për të marrë tri pikët. Kemi bërë progres të madh dhe kemi rastin ideal ta tregojmë këtë,” – tha ai para mediave.
Trajneri Foda konfirmoi mungesën e mbrojtësit Lumbard Dellova për shkak të një lëndimi, por shtoi se atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe se lojtarët janë plotësisht të përgatitur për ndeshjen.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratës së trajnerit të Sllovenisë, Matjaž Kek, i cili kishte thënë se “humbja ndaj Kosovës nuk do të ishte fundi i botës”.
“Po luajmë në shtëpi dhe kemi vetëbesim pas fitores ndaj Suedisë. Jeta vazhdon, por ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar grupin,” – tha Foda me vendosmëri.
Kosova synon të marrë tri pikë të rëndësishme para tifozëve të saj për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026.
Pas dy xhirove të para, Zvicra kryeson grupin me 6 pikë dhe një golaverazh mbresëlënës 7:0. Kosova renditet e dyta me 3 pikë (golaverazh 4:6), ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga 1 pikë, me diferencë golash përkatësisht 2:4 dhe 2:5.
Ndeshja Kosovë–Slloveni do të zhvillohet sonte në “Fadil Vokrri”, në një atmosferë elektrizuese ku përfaqësuesja dardane synon fitore për historinë.



