Kosova
Kryesore

Kosova nis vaksinimin kundër gripit sezonal, regjistrohet rasti i parë

Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar në Kosovë që në ditët e para të këtij muaji, ndërsa interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar është i lartë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka konfirmuar rastin e parë me grip sezonal për këtë sezon, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e shëndetit publik.

Faik Hoti nga IKSHPK bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë masivisht në vaksinim, duke sqaruar se vaksina ofrohet falas për grupet më të rrezikuara, përfshirë personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muaj dhe punëtorët shëndetësorë.

“Vaksinimi ka filluar në fillim të tetorit dhe interesimi është jashtëzakonisht i mirë. Qytetarët kanë kuptuar se parandalimi është mënyra më efektive për t’iu përgjigjur sfidave të shëndetit publik, veçanërisht gripit sezonal,” tha Hoti.

Ai shtoi se imunizimi është mënyra më efikase për të parandaluar komplikimet që mund të shkaktojë gripi dhe theksoi nevojën që edhe personeli shëndetësor të përfshihet në këtë proces.

Vitin e kaluar, mbi 67 mijë qytetarë u vaksinuan kundër gripit sezonal në Kosovë, ndërsa autoritetet shëndetësore synojnë këtë vit një përfshirje edhe më të gjerë. Për sezonin e kaluar janë regjistruar mbi 700 raste me grip sezonal, përfshirë viruset A dhe B.

IKSHPK nënvizon se të gjithë qytetarët mbi moshën 6 muaj, veçanërisht ata që i përkasin grupeve më të rrezikuara, duhet të vaksinohen për të siguruar mbrojtje efektive kundër gripit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button