Kosova në qendër të vëmendjes për emigrantët dhe të burgosurit e huaj: Britania, Belgjika dhe Danimarka me plane konkrete

Çështja e emigrantëve ilegalë po shndërrohet në një problem të madh për kontinentin evropian, duke prekur kryesisht vendet më të zhvilluara ekonomikisht si Mbretëria e Bashkuar. Sipas një raporti të agjencisë Reuters, numri i emigrantëve në Britani është rritur me 46% në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja e numrit të azilkërkuesve ka shtuar presionin ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili ka kthyer vëmendjen kah vendet e treta për ngritjen e të ashtuquajturave “qendra kthimi” për strehimin e emigrantëve ilegalë.
Në mesin e vendeve të përmendura për këtë qëllim është edhe Kosova. Vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti ka konfirmuar se është në komunikim me autoritetet britanike për mundësinë e ngritjes së një qendre të tillë.
“Ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë dhe aktualisht ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona dhe zyrtarëve britanikë për të parë si mund të realizohet kjo në mënyrë të qetë dhe në të mirë të të dyja palëve,” ka deklaruar Kurti për The Times.
Sipas tij, ndihma ndaj Britanisë shihet si “detyrë miqësore dhe politike”, duke kujtuar se Londra ka mbështetur Kosovën në shumë procese ndër vite.
“Duam që mbështetja të jetë kryesisht në fushën e sigurisë, përmes marrëveshjeve strategjike apo projekteve të përbashkëta. Sigurisht që duam të përfitojmë si shtet, por mbi të gjitha e konsiderojmë si detyrë tonën t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë,” shtoi ai.
Ndërkohë, ndryshe nga Kosova, Shqipëria ka refuzuar një mundësi të tillë. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “të paimagjinueshme” që Britania të kërkojë vende për të dërguar emigrantët e saj, duke theksuar se Tirana nuk do të jetë pjesë e kësaj skeme, pasi “ne jemi besnikë ndaj marrëdhënieve tona me Italinë”.
Në këtë linjë diskutimesh është përfshirë edhe Belgjika, e cila po shqyrton mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë territorit të saj, duke përmendur sërish Kosovën si opsion. Ministrja belge e Drejtësisë Annelies Verlinden dhe ajo e Migrimit Anneleen Van Bossuyt vizituan së fundmi Prishtinën dhe u takuan me presidenten Vjosa Osmani.
Edhe pse çështja nuk u përmend zyrtarisht në komunikatën e Presidencës, burime të Radios Evropa e Lirë raportuan se tema u përmend shkurt nga zyrtaret belge, “pa hyrë në diskutime të detajuara”.
Nga ana tjetër, Danimarka tashmë ka një marrëveshje të konkretizuar me Kosovën. Në maj të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për ratifikimin e Traktatit me Mbretërinë e Danimarkës, që parasheh përdorimin e burgut të Gjilanit për ekzekutimin e dënimeve daneze.
Sipas Shërbimit Danez të Burgjeve, të burgosurit e parë danezë do të transferohen në Kosovë në gjysmën e parë të vitit 2027, pasi të përfundojnë punimet për rinovimin e objektit dhe ndërtimin e ambienteve të reja për punësim e vizita.
“Ne presim që puna të nisë këtë verë, ndërsa gjatë pjesës së parë të vitit 2027 burgu të vihet në përdorim,” kanë deklaruar autoritetet daneze.
Me interesimin në rritje të vendeve evropiane për bashkëpunime të tilla, Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një partner i gatshëm për çështje që lidhen me sigurinë, migrimin dhe drejtësinë ndërkombëtare.



