Vetëvendosje prin për nga shpenzimet në tremujorin korrik–shtator, mbi 663 mijë euro të harxhuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të tremujorit korrik–shtator 2025 të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar më shumë se çdo subjekt tjetër politik gjatë kësaj periudhe.
Vetëvendosje ka raportuar shpenzime totale prej 663 mijë e 459 euro e 47 cent, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për paga dhe mallra e shërbime. Sipas raportit, 238 mijë e 528 euro e 26 cent janë përdorur për paga, ndërsa 420 mijë e 182 euro e 88 cent për mallra dhe shërbime.
Në detaje, VV-ja ka harxhuar 7,862 euro e 93 cent për shërbime telekomunikimi, 84,957 euro e 94 cent për qira, 110,078 euro e 51 cent për marketing, dhe 31,072 euro e 56 cent për lëndë djegëse. Po ashtu, për mobilje e pajisje janë shpenzuar mbi 9,600 euro, ndërsa shpenzimet e përfaqësimit kanë kapur vlerën e 5,530 euro e 42 cent.
Pas VV-së, në vend të dytë për nga shpenzimet renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 220 mijë e 660 euro e 77 cent. Nga kjo shumë, 106 mijë e 339 euro e 51 cent janë shpenzuar për paga, ndërsa 32 mijë e 770 euro e 5 cent për marketing. Në shpenzime të ndryshme, PDK ka raportuar 50 mijë e 684 euro e 40 cent.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar shpenzime totale prej 188 mijë e 533 euro e 72 cent. Prej tyre, 91 mijë e 847 euro e 2 cent janë për paga, ndërsa 25 mijë e 908 euro janë dedikuar për marketing.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka pasur shpenzime dukshëm më të ulëta krahasuar me tri partitë e mëdha, duke raportuar gjithsej 40 mijë e 765 euro e 16 cent për tre muajt e raportuar. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të AAK-së, 31 mijë e 432 euro e 53 cent, figuron në kategorinë “pa kategori”.
Raporti i KQZ-së për tremujorin e tretë të vitit 2025 hedh dritë mbi mënyrën se si partitë politike në Kosovë po i menaxhojnë mjetet financiare të tyre, me dallime të dukshme në prioritetet dhe strukturën e shpenzimeve.



