Kosova në pritje të Kushtetueses: LVV nuk sheh zgjidhje pa aktvendim, përkundër thirrjeve të SHBA-së

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara që deputetët në Kuvendin e Kosovës të gjejnë një gjuhë të përbashkët për konstituimin e Kuvendit dhe të mos e presin Gjykatën Kushtetuese për zgjidhjen e krizës politike, situata mbetet e bllokuar. Subjektet politike vazhdojnë të presin një vendim të qartë nga Kushtetuesja për të ecur përpara.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, tha për RTV21 se edhe nëse LVV do të përpiqej të arrinte një marrëveshje të re, ajo do të varej nga vullneti i partive që më herët kanë refuzuar bashkëpunimin.
“LVV ka vepruar vazhdimisht dhe, nëse veprojmë tani, sërish do të përballemi me të njëjtit njerëz që kemi provuar të dialogojmë gjatë gjithë këtyre muajve. Nuk mund të ndërtojmë skenarë që mund të rrëzohen më 8 gusht kur del aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi ajo.
Sipas Kryeziut, mungesa e qartësisë mbi pasojat e moskonstituimit të Kuvendit pas afatit 30-ditor – i cili përfundoi më 26 korrik – i pengon subjektet politike të marrin vendime të mëtejshme.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me Kuvendin pas datës 8 gusht, ndaj nuk mund të veprojmë pa e parë vendimin e Kushtetueses. Nëse do të ishte për LVV-në, Kuvendi do të ishte konstituar më 15 prill,” shtoi ajo, duke theksuar se mungesa e votave të mjaftueshme ka lejuar opozitën të bllokojë procesin.
Në lidhje me zërat që flasin për mundësinë që LVV-së t’i merret e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kryeziu theksoi se një vendim i tillë nga Kushtetuesja do të binte ndesh me Kushtetutën.
“E drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon ekskluzivisht partisë fituese. Nëse Gjykata do të merrte një vendim tjetër, kjo do të përbënte precedent të rrezikshëm dhe shkelje të rendit kushtetues,” deklaroi ajo.
Ndërkohë, që nga data 27 korrik është në fuqi një masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo të ndërmarrin veprime pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri më 8 gusht, datë kur pritet aktvendimi përfundimtar i Kushtetueses.
Në sfondin e një bllokade të zgjatur, tensionet politike dhe pasiguritë juridike sa vijnë e shtohen, duke e lënë vendin në pritje të një vendimi që pritet të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve institucionale në Kosovë.