Rekord në transparencën buxhetore të komunave në Kosovë: 9 komuna arrijnë pikët maksimale në raportin e GAP

Instituti GAP ka publikuar sot raportin vjetor “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, duke evidentuar përparimin më të madh që nga viti 2017 në fushën e transparencës financiare në nivel lokal në Kosovë.
Sipas raportit, 22 nga 38 komunat e Kosovës kanë kaluar mesataren prej 61 pikëve, ndërsa nëntë prej tyre kanë arritur pikët maksimale (100), duke dëshmuar angazhim të plotë në publikimin dhe shpërndarjen e dokumenteve buxhetore. Këto komuna janë: Kaçaniku, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci, Shtima, Skenderaj dhe Vushtrria.
Përveç tyre, edhe komunat e Drenasit, Hanit të Elezit dhe Podujevës janë vlerësuar lart, me nga 95 pikë secila, ndonëse mungesa e një dokumenti në formatin e kërkuar i ka penguar të arrijnë maksimumin.
Gjatë vitit 2024, komunat kanë publikuar gjithsej 227 dokumente buxhetore në faqet zyrtare, duke përfshirë Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), raportet financiare, rregullore për subvencione dhe listat e përfituesve. Ndërsa 32 komuna kanë organizuar gjithsej 123 dëgjime publike, 28 prej tyre duke mbajtur së paku katër dëgjime secila. Në të kundërt, gjashtë komuna nuk kanë mbajtur asnjë dëgjim buxhetor.
Ndër dokumentet më pak të publikuara mbetet kartela analitike e kontos – e cila është shpërndarë publikisht vetëm nga 16 komuna, ndërsa dy të tjera e kanë ofruar përmes kërkesës me email. Megjithatë, GAP thekson se ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2023.
Në raport theksohen edhe lëvizjet më të mëdha në renditje. Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shënuar një përmirësim të jashtëzakonshëm prej 46 pikësh, ndërsa Vitia ka fituar 45 pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në anën tjetër, disa komuna kanë pësuar rënie, përfshirë Ferizajn (-47.5 pikë), Obiliqin dhe Malishevën (-25), Gjakovën (-20) dhe Suharekën (-10).
Ndërkohë, Zubin Potoku dhe Zveçani mbeten në fund të listës si të vetmet komuna që nuk kanë publikuar asnjë dokument buxhetor, duke i bërë ndër më jotransparentet në vend.
Instituti GAP përmbyll raportin me vlerësimin se, ndonëse progresi është i ndjeshëm dhe pozitiv, nevojitet standardizim më i madh i publikimit të dokumenteve dhe forcim i mekanizmave të llogaridhënies për të siguruar transparencë të qëndrueshme në të gjitha komunat e Kosovës.