Kosova në labirintin e bllokadave

Janë kthyer në rutinë krizat institucionale – ato shpërfaqen pas çdo palë zgjedhjesh. Një vend që ka kaluar mbi një dekadë e gjysmë të shtetësisë, vijon të ngecë në hapin e parë të konstituimit të institucioneve – këtë herë shkaku i verifikimit të mandateve të deputetëve. Dy seanca radhazi kanë dështuar për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve – një hap procedural që do të duhej të ishte formalitet, por që është shndërruar në arenë përballjeje politike mes dy taborëve në Kuvend.
Kosova ka hyrë sërish në qorrsokakun institucional që përsëritet pas pothuajse çdo cikli zgjedhor. Legjislatura e nëntë, e dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk u konstituua as pas dy tentativash, shkaku i betejës së hapur mes dy taborëve politikë, në lidhje me procedurat.
Dështimi i dy seancave konstituive në pikën që deri tash është konsideruar krejt formalitet – verifikimi i mandateve të deputetëve, sinjalizon një krizë të re politike dhe brishtësi të demokracisë institucionale në vend.
Ngërçi aktual
Seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill, por nuk përfundoi me sukses për shkak të mospajtimeve lidhur me raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.
Në të njëjtën mënyrë dështoi edhe seanca e dytë, e mbajtur më 17 prill, duke i shtyrë edhe më tej procedurat e nisjes së punës së Kuvendit të ri.
Në qendër të mosmarrëveshjes janë aktet e dorëheqjes nga funksionet e dyfishta të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë fituar mandat si deputetë, por mbajnë ende pozita qeveritare.
Ligjvënësit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë refuzuar të votojnë raportin duke kërkuar që këto dorëheqje të dorëzohen zyrtarisht dhe të jenë të dokumentuara në raport. Në mungesë të kësaj, ata pretendojnë se procesi përbën shkelje të kushtetutës e ligjeve dhe se do të krijonte precedent që në të ardhmen do të kontestohej edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Këto dorëheqje kabineti qeveritar i paraqiti në Kuvend pikërisht në ditën e seancës konstituive. Ligji për Qeverinë në nenin 26 parasheh që nëse anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Por neni 29 i të njëjtit ligj, thekson se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon, nëse ai zgjidhet deputet ose edhe kur i përfundon mandati i rregullt Qeverisë.
Në vazhdimin e dytë të seancës konstituive, opozita refuzoi konsultat e thirrura nga kryesuesi duke kërkuar prej tij që të procedojë me votimin e raportit që dy ditë përpara nuk kaloi.
Vetëvendosje i cilësoi këto argumente si pengesa të qëllimshme politike, duke theksuar se opozita refuzoi konsultimet e thirrura nga kryesuesi, për të tejkaluar krizën.
Verifikimi i mandateve është vetëm hapi i parë, pas të cilit duhet zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, në mënyrë që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar për t’i hapur rrugë krijimit të qeverisë.
Subjektet që ishin opozitë në legjislaturën e kaluar, insistojnë se Vetëvendosje po e bllokon konstituimin në mungesë të votave për ta votuar kryeparlamentarin dhe më pas qeverinë. Sipas tyre kjo u dëshmua me votimin pro raportit, që nuk mori më shumë se 52 vota.
Njohës të punës së Kuvendit thonë se kriza dhe tendencat për bllokadë po e shoqërojnë edhe këtë legjislaturë
“Formimi i institucioneve kalon nëpër shumë faza. Ndërsa nëpër të gjitha fazat, realisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është shkruar në atë formë saqë do të duhej që akterët institucionalë, ose individët institucionalë të mos abuzojnë me të drejtën që ua kanë dhënë qytetarët. Në këtë drejtim mund të themi që është përgjegjësi e institucioneve, e akterëve institucionalë, që të veprojnë në atë mënyrë që të dalin vetë prej krizës, në mënyrë që të mos aktivizohet Gjykata Kushtetuese dhe që të mos kemi kriza. E, po ashtu të mos kemi praktika të rënda kushtetuese, për arsye që secila krizë vonon në formimin e institucioneve dhe në procedimin tutje. Për këtë arsye në momentin që ka ndonjë krizë është Gjykata Kushtetuese ajo që jep vendimin final”, ka thënë Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Tek i komentoi dorëheqjet që shkaktuan ngërç në konstituimin e Kuvendit, Kolshi përmend kufizimet që i përshkruhen qeverisë në këso situata.
“Realisht jemi në situatën ku për herë të parë kur Qeveria e Republikës së Kosovës e ka kryer mandatin e saj katër vjeçar siç është e përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa më 22 mars të po këtij viti janë bërë katër vjet kur edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kaluar në detyrë. Kështu që qeveria në detyrë nënkupton kufizimet që i ka të përgjegjësisë që të mos marrë vendime të cilat merren nga një qeveri e cila është e rregullt. Kështu që duhet të ketë kujdes, në mënyrë që të mos vazhdojë të marrë vendime qysh është emërimi i bordeve, e shumë vendime të tjera”, është shprehu ai.
Bllokadat në legjislaturat e kaluara
Kriza e tashme nuk përbën rast të izoluar në Kosovë. Legjislatura e vitit 2014 është një shembull emblematik.
Atëkohë blloku opozitar LDK-AAK-Nisma pati zgjedhur Isa Mustafën kryetar të Kuvendit. Por PDK-ja, e cila kishte dalë parti e parë, e kontestoi vendimmarrjen e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja vendosi që vetëm partia fituese kishte të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar, ndryshe prej rastit të mandatarit të qeverisë, ku presidentit i lihet mundësia t’ia kalojë mandatarin edhe partive të tjera, nëse partia fituese dështon ta zgjedhë në rastin e parë. Situata e vitit 2014 pati shkaktuar një ngërç institucional prej mbi gjashtë muajsh, derisa u arrit një marrëveshje ku Isa Mustafa i LDK-së u bë kryeministër dhe Kadri Veseli nga PDK-ja u zgjodh kryetar i Kuvendit.
Vonesa për shkak të mungesës së shumicës pati edhe në vitin 2017. Pas zgjedhjeve të 11 qershorit të atij viti, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) kishte dalë fitues, por nuk kishte shumicën e duhur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Për tre muaj u vonua zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, derisa më 7 shtator 2017, pas disa tentativave të dështuara u arrit një marrëveshje me AKR-në e Behgjet Pacollit që në zgjedhje kishte garuar bashkë me LDK-në. Kadri Veseli ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit e Ramush Haradinaj kryeministër.
Koalicionet
Bllokadat e paszgjedhjeve jo rrallë janë zgjidhur përmes presionit të kohës, kompromisit të pashmangshëm ose ndërhyrjeve të faktorëve ndërkombëtarë.
Në çdo rast, koalicionet janë formuar vetëm pasi partitë e përfshira kanë kaluar muaj të tërë në një lojë nervash e pazare të vështira politike.
2001: Legjislatura I – Pushtet për të gjithë
Polarizimi politik ishte në kulm në 2001-n kur u organizuan zgjedhjet e para pas çlirimit.
Ndërkombëtarët që prioritet e kishin stabilitetin në Kosovë, fillimisht ndërtuan një trupë bashkëqeverisëse të quajtur Këshilli Administrativ.
“Ky është fillimi i një procesi”, pati thënë Bernard Kushner, kryeadministrator i Kosovës.
Pas zgjedhjeve që u fituan nga LDK-ja, sërish donin bashkëqeverisje.
Ibrahim Rugova e pranoi këtë dhe vetë e mbajti postin e presidentit, ndërsa posti i kryeministrit iu dha PDK-së, ama jo liderit të saj Hashim Thaçi.
Bajram Rexhepi kishte treguar për “Kohën Ditore” historinë se si e kishte mësuar që ai do të jetë kryeministri.
“Në dy të natës zoti Shtajner më ka thirrur dhe më ka kumtuar se pas bisedave maratonike, ju jeni propozuar për mandatar”, pati treguar Rexhepi.
Rexhepi u bë kryeministri i parë i Kosovës, dhe krahas njerëzve të LDK-së e PDK-së, në kabinet pati ministra edhe nga AAK-ja e komunitetet.
2004: Legjislatura II – Qeveri e trazuar
Zgjedhjet e 2004-tës sërish e rikonfirmuan LDK-në parti fituese.
Rugova bëri koalicion veç me AAK-në dhe komunitetet.
Ishte qeveri e trazuar kjo.
Pak pa i mbushur 100 ditë, Haradinaj dha dorëheqje, për t’u përballur me akuzat e Gjykatës së Hagës. Në vend të tij u vu Bajram Kosumi
Disa kohë më vonë, Rugova kumtoi për probleme serioze me shëndetin.
“Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri. Andaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese”, pati bërë të ditur Ibrahim Rugova, president i Kosovës.
Në fund të 2006-s Rugova humbi betejën me sëmundjen.
Fatmir Sejdiu u bë president. Më pas, Kosumi u zëvendësua nga Agim Çeku.
2007: Legjislatura III – Qeveri për pavarësi
Para zgjedhjeve të nëntorit të 2007-s, LDK-ja u nda. Në atë që njihej kuvend i karrigeve, Sejdiu fitoi, ndërsa Daci që humbi, mblodhi disa eksponentë të LDK-së dhe krijoi parti të re.
Nga kjo situatë përfitoi PDK-ja. U bë partia më e votuar. E, LDK-ja humbi primatin.
Thaçi arriti marrëveshje koalicioni me LDK-në, së cilës ia la postin e presidentit, ku u vu Sejdiu.
Koalicioni ishte bërë nën arsyen për unitetin që kërkohej në mandatin kur do të shpallej pavarësia e Kosovës.
Kur ishte konsumuar më shumë se gjysma e mandatit të rregullt, Sejdiu qe detyruar të japë dorëheqje, pasi Gjykata Kushtetuese dha verdiktin se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e presidentit e edhe të kreut të LDK-së. Pas kësaj, LDK u tërhoq nga Qeveria.
2010: Legjislatura IV – Koalicioni i pakicës popullore
Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në fund të 2010-s, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, i iniciuar me bekimin e Thaçit.
PDK-ja fitoi sërish dhe ia doli të bëjë një shumicë të ulëseve në Kuvend. Marrëveshja e koalicionit me AKR-në dhe komunitetet, ia siguroi Thaçit mandatin e dytë si kryeministër, ndërsa Behgjet Pacolli u bë president. President për 30 ditë, meqë Kushtetuesja gjeti se ishte zgjedhur pa kuorumin e nevojshëm.
Jetëgjatësinë e koalicionit e shpëtoi ambasadori amerikan Christopher Dell, i cili e propozoi për presidente Atifete Jahjagën, një personalitet pak i njohur deri atëherë.
Megjithëkëtë, Thaçi nuk arriti ta përmbyllë as mandatin e dytë. Meqë Kushtetuesja ia njohu Jahjagës mandatin e plotë, u prish marrëveshja rreth një reforme zgjedhore, që ishte me Isa Mustafën e LDK-së. Kuvendi u shpërnda.
2014: Legjislatura V – Koalicion “tradhtish”
Shpërndarja e Kuvendit prodhoi zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit të 2014-s, në të cilat sërish PDK-ja mori vota më së shumti.
Por, partitë refuzonin t’i bashkoheshin në koalicion. LDK-ja dhe AAK-ja, por edhe Nisma, një parti e dalë pas çarjeve në PDK, u morën vesh ta nominonin Haradinajn për kryeministër. Më vonë marrëveshjes iu bashkëngjit edhe LVV-ja.
Planet i prishi Kushtetuesja. Ajo dha interpretimin se edhe për kryeparlamentarin e edhe për mandatarin për Qeverinë PDK-ja duhet ta japë propozimin, meqë ishte parti e parë
Pas kësaj, LDK-ja bëri një marrëveshje me PDK-në, dhe për herë të parë do ta drejtonte Qeverinë. Marrëveshja e bëri Mustafën kryeministër e Thaçin president.
Koalicioni funksionoi pak më shumë se dy vjet. Në majin e 2017-s PDK-ja e përkrahu mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Mustafa.
2017: Legjislatura VI – Koalicioni parazgjedhor
Në zgjedhjet që pasuan, ato të 2017-s, shumë nga partitë bënë koalicione parazgjedhore. AAK-ja e Nisma iu ofruan PDK-së, dhe garuan me Haradinajn për kandidat për kryeministër, i cili u bë, por vetëm për gjysmë mandati.
U dorëhoq, pas një ftese që ia bëri Gjykata Speciale.
“Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj”, ka thënë Haradinaj.
Pas dorëheqjes, Thaçi e shpërndau Kuvendin dhe vendi shkoi në zgjedhje.
2019: Legjislatura VII – Dy koalicione
Gjatë legjislaturës së gjashtë, Vetëvendosje e LDK ishin përafruar, duke qenë në opozitë. E pas zgjedhjeve të 2019-s, bënë koalicion. Albin Kurti u bë kryeministër e Vjosa Osmani kryeparlamentare.
Kurti drejtoi qeverinë më jetëshkurtre. Vetë LDK-ja inicioi mocion mosbesimi, diku 50 ditë pas bashkëqeverisjes me LVV-në. Sebep u bë shkarkimi i Agim Veliut nga Kurti, shkaku i mbështetjes së nismës së presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Nuk mund ta mbështetësh shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit. Nuk mundesh. Ose, edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, ishte deklarata e Kurtit pas shkarkimit të Veliut.
LDK-ja s’e përpiu dot dhe u hakmor, por kundër kësaj ishte Osmani.
“Kemi vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti”, kishte njoftuar Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.
Mocioni kaloi, edhe me mbështetjen e partive në opozitë.
LDK-ja u vu në lëvizje për ta bërë Qeverinë. Mbërriti marrëveshje me AAK-në, më Nismën e me komunitetet, dhe deputetët e të gjithave nuk e bën shumicën. Shumica prej 61 votash u mbërri me votën e dy deputetëve të AKR-së, që vendosën të rrinin në opozitë.
Por, një votë e koalicionit u bë sebep që Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, të bjerë. Gjykata gjeti se vota e Etem Arifit ishte jokushtetuese e vendi shkoi në zgjedhje.
2021: Legjislatura VIII – Qeveri pa koalicion
Zgjedhjet e 2021-s, për herë të parë pas lufte prodhuan fitues absolut. Vetëvendosje, me Vjosa Osmanin pjesë të listës së kandidatëve për deputetë, mbërritën 50.28 për qind të votave. Kjo ua siguroi 58 ulëse në Kuvend. Shumicën në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe qeverisë e siguroi nga vota e disa prej deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe.
Kësisoj, Vetëvendosje qeverisi pa koalicion me ndonjë parti shqiptare, duke u bërë qeveria e parë pas shpalljes së pavarësisë që e përmbyll një mandat të plotë.
Pasojat e bllokadës aktuale
E zgjedhjet e fundit, këto të 2025-s, u përshkruan me akuza dhe përplasje të mëdha, të cilat vijuan edhe pas mbylljes së kutive të votimit. Kurti si fitues i zgjedhjeve prej partive shqiptare i dërgoi ftesë për konsulta vetëm Lidhjes Demokratike që doli e treta me 20 deputetë, por që u refuzua. Si arsyetim u përmend diskursi përçarës dhe akuzat e Kurtit duke i lidhur edhe me Serbinë kundër interesave të shtetit.
Përtej përplasjes procedurale ngërçi mund të prodhojë pasoja të thella politike dhe institucionale.
Në aspektin ndërkombëtar, kriza përçoi sinjal negativ te partnerët perëndimorë që vazhdojnë të kërkojnë funksionalitet institucional, stabilitet dhe qeverisje të mirë nga Kosova./ Koha.Net