Kosova

Kosova ndalon importin e gjedheve dhe lëkurës së tyre nga Franca pas shpërthimit të sëmundjes LSD

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar ndalimin e menjëhershëm të importit të gjedheve dhe produkteve të tyre, përfshirë lëkurën, nga rajoni Auvergne-Rhone Alpes në Francë. Ky vendim vjen pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes gungore të lëkurës (Lumpy Skin Disease – LSD) në këtë zonë.

Sipas njoftimit zyrtar të AUV-së, të gjitha autoritetet përgjegjëse për kontrollin kufitar janë urdhëruar të zbatojnë ndalesën, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës mbi lajmërimet e sëmundjeve të kafshëve dhe në kohë reale po ndërmerr masa për parandalimin e përhapjes së tyre në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

AUV thekson se masat e marra janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare për kufizime tregtare, duke shtuar se Kosova është në një linjë veprimi me vendet e tjera për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së lëkurës te gjedhët.

“Në rast të ndryshimit të situatës apo përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, veprimet do të jenë në përputhje me protokollet veterinare për mbrojtje dhe parandalim”, përfundon njoftimi i AUV-së, publikuar në rrjetin social Facebook.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button