Kosova me politikë të jashtme ad-hoc, sipas ekspertëve

Gjatë dhjetë ditëve të fundit të shtatorit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz kanë zhvilluar vizita të ndara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, secili me agjendë të ndryshme.
Politologia Donika Emini e ka cilësuar politikën e jashtme të Kosovës si të paorganizuar dhe të orientuar vetëm për konsum të brendshëm politik. “Ne funksionojmë me politikë të jashtme ad-hoc, për konsum të brendshëm politik, dhe jo për kalkulime të jashtme. Është agjendë personale politike e personave të caktuar në Kosovë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, ish-ambasadori Albert Prenkaj vlerëson se mungesa e koordinimit ka sjellë pasoja serioze për vendin. “Kosova është duke përjetuar një asfiksim, një vetëmbyllje. E ka humbur relevancën në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një kakofoni në politikën e jashtme dhe si rezultat i kësaj Kosova ka përfunduar në sanksione”, theksoi ai.



