Kosova

Kosova heq tarifat doganore për mallrat amerikane – një hap drejt marrëveshjes së tregtisë së lirë me SHBA-në

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vendim konsiderohet si një hap i rëndësishëm strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, të cilën Kosova e vlerëson si partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Oda, kjo masë përfaqëson një përgjigje konkrete ndaj një rekomandimi të bërë muaj më parë nga vetë Oda Ekonomike Amerikane, e cila kishte kërkuar një vendim të njëanshëm preferencial tregtar. Qëllimi i këtij hapi është të nxitet tregtia dypalëshe dhe të përgatitet terreni për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë ndërmjet dy vendeve.

“Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese,” thuhet në njoftim.

Oda thekson se kjo lëvizje do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimit teknologjik dhe investimeve të ndërsjella, veçanërisht në sektorët kyç të ekonomisë, duke sjellë përfitime afatgjata për të dyja vendet.

Në përmbyllje, Oda Ekonomike Amerikane përgëzon Qeverinë e Kosovës për këtë vendim dhe shpreh gatishmërinë e saj për të promovuar më tej mundësitë e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe SHBA-së. “Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara,” përfundon deklarata.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button