Kosova

OEK kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE: Bizneset përballen me pasoja të rënda nga tregu i lirë i energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës, ka ngritur sërish alarmin për ndikimet negative që po sjell dalja e detyruar e bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke e cilësuar si një barrë të rëndë për sektorin prodhues dhe ekonominë e vendit në tërësi.

Sipas të dhënave preliminare të OEK, bizneset që janë të përfshira në tregun e lirë të energjisë kanë një konsum vjetor prej rreth 550 GWh, që me çmimet aktuale në treg përkthehet në një kosto minimale prej 120 milionë euro në vit. Kjo nënkupton një dëm mesatar prej rreth 328 mijë euro në ditë, ose afërsisht 10 milionë euro në muaj, për shkak të moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Përveç çmimeve të larta, OEK thekson se një tjetër barrë financiare është edhe kërkesa për pagesë paraprake të një depozite dy mujore në momentin e nënshkrimit të kontratave me operatorët e furnizimit, që përllogaritet të arrijë në 20 milionë euro para të gatshme. “Shumë biznese, për shkak të mungesës së likuiditetit, janë detyruar të marrin kredi bankare, duke u ngarkuar edhe me interesa shtesë,” thuhet në reagimin e OEK.

Situata financiare rëndohet edhe më tej nga faturat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilat kanë afate shumë të shkurtra pagese. Sipas përllogaritjeve, vetëm gjatë muajit gusht 2025, bizneset pritet të paguajnë rreth 50 milionë euro para të gatshme, duke përfshirë edhe shumën e depozitave.

“Kjo situatë po e tkurr ndjeshëm likuiditetin në treg, po rrit kostot financiare të bizneseve dhe po e dëmton seriozisht qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorit prodhues në Kosovë,” paralajmëron OEK.

Duke marrë parasysh këtë situatë alarmante, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të pezullojë urgjentisht vendimin për daljen në tregun e lirë të energjisë. “Kërkojmë sërish pezullim të vendimit të ZRrE-së, për të ruajtur ekonominë e vendit, mbrojtjen e biznesit dhe asetin më të vlefshëm – qytetarin e Republikës së Kosovës. Sot pezullimi i këtij vendimi është akt patriotik,” thuhet në njoftimin e OEK.

Bizneset kanë protestuar në mënyrë të përsëritur në Prishtinë për të kundërshtuar këtë vendim, duke paralajmëruar pasoja serioze, si largimi i mijëra punëtorëve, ulja e prodhimit dhe rritja e varësisë nga importi. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar ende mbi kërkesat e komunitetit të biznesit për shtyrjen apo pezullimin e këtij vendimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button