Kosova

Kosova drejt zgjedhjeve të reja? Kushtetuesja pezullon Kuvendin pas 54 dështimeve për konstituim

Republika e Kosovës vazhdon të qëndrojë pa institucione funksionale, pasi për më shumë se tre muaj nuk është arritur të konstituohet Kuvendi i ri. Seanca konstituive e nisur më 15 prill dhe betimi i deputetëve më 19 prill nuk kanë sjellë asnjë rezultat konkret. Përkundrazi, janë shënuar plot 54 përpjekje të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, pritet që më 8 gusht të merret një vendim kyç, i cili mund të çojë në shpërndarjen e legjislaturës së nëntë dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Nga e diela, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar çdo veprim të Kuvendit, deri në shqyrtimin e tri kërkesave të dorëzuara nga PDK, LDK dhe më pas edhe nga Presidentja Vjosa Osmani, që lidhen me procesin e konstituimit.

Në afro 100 ditë, deputetët kanë realizuar vetëm 4 orë e gjysmë punë efektive, ndërsa janë paraqitur në seanca pothuajse çdo dy ditë, vetëm për 5 minuta.

Situata është tensionuar nga përplasjet politike, ku Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, ndërsa PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar fuqishëm këtë formë. Këto parti kanë kërkuar që VV të propozojë një kandidat tjetër, pasi Albulena Haxhiu ka dështuar në të gjitha raundet për të siguruar 61 votat e nevojshme.

Në këtë ngërç institucional, Gjykata Kushtetuese mban në dorë çështjen më të rëndësishme politike të vitit – nëse do të shpërndajë Kuvendin apo do të gjejë një rrugë tjetër për të tejkaluar bllokadën.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button