Kosova

Komuna e Obiliqit zgjat orarin e punës për shkak të diasporës – shërbimet do të jenë pa pauzë deri më 31 gusht

Për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës, Komuna e Obiliqit ka vendosur të zgjerojë orarin e punës në disa nga shërbimet më të kërkuara komunale.

Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Linda Bekteshi, ka njoftuar se nga dita e nesërme deri më 31 gusht, njësitë komunale si Qendra për Shërbim me Qytetarë, Gjendja Civile, Zyra e Tatimit në Pronë dhe sportelet e Kadastrit do të punojnë pa ndërprerje gjatë ditës, pra pa pauzë.

“Zgjatja e orarit është bërë për shkak të rritjes së fluksit me ardhjen e diasporës. Ne mbesim të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për të gjithë qytetarët. Mirë se vini, bashkatdhetarë!”, ka shkruar Bekteshi në profilin e saj zyrtar në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe vendimin e marrë.

Ky vendim synon të lehtësojë procedurat administrative për bashkatdhetarët, të cilët gjatë qëndrimit në vendlindje zakonisht përballen me kohë të kufizuar për të kryer shërbime publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button