Kosova
Kryesore

Katër policë të rekomanduar për suspendim nga IPK në dy raste të ndara

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë në dy raste të ndara që po hetohen në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse.

Në rastin e parë, IPK njofton se mbrëmjen e kaluar Policia e Kosovës ka marrë informacion për një incident të ndodhur në një fshat të Ferizajt, ku dyshohet se një person me veshje civile, i cili është prezantuar si zyrtar policor, ka sulmuar dhe kanosur me armë një të mitur.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vetë-paraqitur në stacionin policor pas incidentit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Për këtë rast, është rekomanduar suspendimi i zyrtarit në fjalë, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, me dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Ndërkohë, në një rast tjetër të ndodhur më 30 qershor 2025 në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të tjerë policorë, të dyshuar për përfshirje në një incident që është cilësuar si keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me dyshimin për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’. Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, përfundon njoftimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button