Ambasadori i BE-së viziton Gjakovën: “Integrimi Evropian duhet të jetë i kapshëm për të gjithë”

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivi Orav, gjatë një vizite zyrtare në Gjakovë, ka theksuar rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët dhe institucionet lokale për të fuqizuar bashkëpunimin dhe për ta bërë procesin e integrimit evropian sa më të qasshëm për të gjithë.
“Për Zyrën e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme dalja në terren, në mënyrë që të takojmë njerëz të ndryshëm, të dëgjojmë nga afër dhe të shohim mundësitë për një bashkëpunim sa më të mirë. Kështu procesi i integrimit bëhet më i prekshëm për të gjitha palët,” deklaroi ambasador Orav pas takimit me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Ai veçoi si shembull pozitiv projektin e ngrohtores së qytetit të Gjakovës, të financuar nga BE-ja, duke e cilësuar atë si një projekt jetik për qytetarët. “Ne po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha komunat dhe me popullin e Kosovës që integrimi në BE të ecë përpara me hapa të shpejtë,” shtoi ai.
Në anën tjetër, kryetari Gjini vlerësoi kontributin e BE-së në zhvillimin e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës. “Bashkimi Evropian është padyshim kontribuuesi më i madh në vend, me projekte të rëndësishme që disa janë përfunduar dhe të tjera janë në proces. Drejtimi ynë është Evropa dhe ne duhet të bëjmë maksimumin që të jemi sa më pranë anëtarësimit,” tha ai.
Gjatë vizitës në Gjakovë, ambasador Orav, i shoqëruar nga kryetari Gjini, ka zhvilluar një takim me afaristët lokalë dhe ka vizituar Qendrën Inovative si dhe Muzeun e qytetit.
Kjo vizitë është pjesë e angazhimeve të rregullta të Zyrës së BE-së në Kosovë për të forcuar partneritetin me komunat dhe për të përkrahur zhvillimin lokal në përputhje me standardet evropiane.