Kombëtarja shqiptare përgatitet për “finalen” ndaj Serbisë në Leskovc

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë një ndeshje vendimtare ndaj Serbisë më 11 tetor në Leskovc, e cila konsiderohet si një “finale” për fatin e kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2026. Pas barazimit në Tiranë mes dy skuadrave, ekipi i Sylvinhos ka nevojë urgjente për fitore në Serbi për të siguruar pozitën e dytë në grup, që dërgon në “play-off” drejt garës më të madhe të futbollit botëror, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për emisionin “Opinion” në Klan, ka zbuluar detaje për udhëtimin dhe kushtet e ndeshjes. Ai konfirmoi se, sipas një marrëveshjeje, nuk do të ketë tifozë shqiptarë në stadiumin e Leskovcit, ashtu siç nuk kishte tifozë serbë në ndeshjen e parë në Tiranë.
“Ekipi ynë do të udhëtojë më 10 tetor drejt Nishit dhe do të akomodohet në një hotel mes Nishit dhe Leskovcit. Pas ndeshjes do të kthehemi për miqësoren me Jordaninë. Është një ndeshje e rëndësishme për klasifikimin në grup. Gjërat e tjera nuk duhen menduar. Ekipi ka eksperiencë dhe di të ndajë gjërat. Nga pikëpamja sportive, ekipi është mirë”, deklaroi Duka.
Ndeshja Serbi–Shqipëri shihet si një prej më të nxehtave të këtij cikli eliminator, jo vetëm për rivalitetin sportiv, por edhe për tensionet historike mes dy vendeve.



