Kosova

Komandanti italian i KFOR-it, Enrico Barduani, mbajti fjalimin e tij të fundit në ceremoninë e ndërrimit të komandës

Komandanti italian i KFOR-it, Enrico Barduani, mbajti sot fjalimin e tij të fundit në këtë cilësi gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të NATO-s në Kosovë.

Në fjalimin e tij, Barduani u fokusua jo tek statistikat dhe arritjet e misionit, por tek reflektimet mbi rolin e KFOR-it në një mjedis të ndërlikuar dhe sfidues. Ai theksoi lidhjen e thellë personale dhe profesionale që ka zhvilluar me Kosovën dhe njerëzit e saj gjatë shërbimit të tij, duke përfshirë periudhat e shërbimit në vitin 2001 dhe 2015.

“Çdo ngjarje, madje edhe e vogël, çdo veprim dhe fjalë mund të ketë pasoja strategjike në këtë kontekst që mbetet i qëndrueshëm, por gjithashtu fragjil”, tha Barduani, duke paralajmëruar mbi kompleksitetin e misionit të KFOR-it.

Ai vlerësoi përmirësimin e sigurisë në Kosovë që nga viti 1999, duke theksuar se madhësia e KFOR-it është reduktuar në më pak se 10% të nivelit të mëparshëm, një dëshmi e progresit të arritur. Megjithatë, Barduani nënvizoi se sfidat mbeten dhe roli i misionit ndërkombëtar vazhdon të jetë i rëndësishëm.

Komandanti i KFOR-it gjithashtu foli për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se kjo është baza për stabilitet afatgjatë dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Ai përmendi edhe përvojat personale lidhur me pasojat e luftës dhe diskriminimit, duke i lidhur ato me rëndësinë e punës së KFOR-it për të mbrojtur jetët dhe dinjitetin e njerëzve.

“Pas çdo misioni, çdo patrulle dhe çdo negociate, qëndrojnë jetë njerëzish dhe histori që meritojnë paqe dhe siguri”, u shpreh Barduani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button