Komandanti i KFOR-it zhvillon takim në Mal të Zi për sigurinë rajonale

Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Malit të Zi, Miodrag Vuksanoviq. Takimi është mbajtur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Podgoricë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, palët kanë ndarë pikëpamje mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe mbi kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Gjeneral major Ulutaş ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të Malit të Zi ndaj misionit të KFOR-it dhe ka vlerësuar profesionalizmin e personelit malazez që shërben në kuadër të këtij misioni.
KFOR-i ka përsëritur përkushtimin e tij për zbatimin e mandatit të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Në njoftim theksohet gjithashtu se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përmbushje të roleve të tyre përkatëse në fushën e sigurisë.



