Kosova

Prizren, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj tre personave për keqpërdorim të pozitës dhe dokumente të rreme

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me lëshimin e certifikatave mjekësore dhe dokumenteve për patentë shofer.

Sipas njoftimit, aktakuzë është ngritur ndaj të pandehurit L.B., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj U.M. dhe I.G. për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nga aktakuza rezulton se L.B., më 15 korrik 2023 në Prizren, në cilësinë e drejtorit të poliklinikës private “G.”, i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët e patentë shoferëve, ka tejkaluar autorizimet e tij duke lëshuar certifikata për kandidatët B.V. dhe B.Th. pa i kontrolluar personalisht. Hetimet kanë zbuluar se të njëjtët ndodheshin jashtë Kosovës në atë kohë, ndërsa certifikatat e rreme u përdorën për t’u regjistruar në provimet për patentë shofer në auto-shkollat “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë.

Ndërkohë, të pandehurit U.M. dhe I.G., përfaqësues të këtyre auto-shkollave, akuzohen se kanë përpiluar dhe dorëzuar kontrata dhe dokumente të rreme për kandidatët e njëjtë, duke i paraqitur sikur kishin ndjekur ligjëratat teorike, ndonëse ndodheshin jashtë vendit.

Prokuroria ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button