Kosova

KFOR paralajmëron Serbinë: “Vijat e kuqe” janë të qarta, jemi gati të reagojmë

Komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se autoritetet serbe janë plotësisht të vetëdijshme për “vijat e kuqe” që nuk duhet të kapërcehen në raport me sigurinë në Kosovë.

Në një intervistë për RTV21, ai theksoi se këto vijë ndalimi janë të përcaktuara qartë në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999 mes NATO-s dhe Serbisë.

“Po, Beogradi i njeh vijat e kuqe. Ato janë të shkruara qartë në marrëveshjet që na udhëheqin. KFOR-i mbetet i përqendruar në misionin për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë”, u shpreh Barduani.

Ai theksoi se forcat e KFOR-it janë të pranishme në terren, të vendosura në mënyrë strategjike dhe të gatshme të reagojnë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.

“Njësitë tona janë të përgatitura për të parandaluar çdo rrezik të madh eskalimi. Por nëse është e nevojshme, do të reagojmë sipas mandatit që kemi nga OKB-ja”, tha gjenerali italian.

Sipas tij, Serbia ka detyrimin që të njoftojë KFOR-in për çdo lëvizje ushtarake pranë vijës kufitare administrative, brenda ish-zonës së sigurisë tokësore prej pesë kilometrash. Ky mekanizëm, siç tha Barduani, ka ndihmuar për të shmangur keqkuptimet dhe ka garantuar stabilitet në terren.

“Deri më tani ka funksionuar mirë dhe jemi të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit profesional me palën serbe”, përfundoi Barduani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button