Dy vite pas sulmit në Banjskë, Millan Radoiçiq ende i lirë në Beograd

Dy vite pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, organizatori i vetëshpallur i këtij sulmi, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici dy herë në muaj. Sipas gjykatës, ai i ka respektuar këto masa dhe për herë të fundit është paraqitur më 15 shtator në stacionin policor në komunën Savski Venac të Beogradit.
Megjithëse prokuroria serbe kishte paralajmëruar ngritjen e një aktakuze në fund të vitit 2024, ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret. Ekspertë të sigurisë në Serbi e lidhin këtë vonesë me presionin politik dhe ndikimin e autoriteteve shtetërore.
Ndërkohë, persona të tjerë të akuzuar nga Kosova për përfshirje në sulmin e 24 shtatorit 2023 – ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku – janë parë gjatë verës së këtij viti në Beograd duke ruajtur objektet shtetërore gjatë protestave antiqeveritare.
Në Kosovë, aktakuza për sulmin në Banjskë përfshin 45 persona. Vetëm tre prej tyre po gjykohen në Prishtinë, ndërsa të tjerët mbeten në arrati. Interpol-i ka lëshuar fletarrestime ndërkombëtare, por Serbia refuzon t’i ekstradojë duke pretenduar se ata do të gjykohen brenda vendit.
Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjithashtu të lidhur me biznese që kanë përfituar miliona euro nga tenderët shtetërorë serbë. Për këtë arsye, ekspertë të pavarur theksojnë se mbrojtja që u ofrohet atyre nga autoritetet në Beograd tregon lidhjet e ngushta mes politikës, krimit dhe interesave ekonomike.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Serbisë të sjellë drejtësi për sulmin në Banjskë. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë aktakuzë konkrete, ndërsa dialogu Kosovë–Serbi ka mbetur i bllokuar që nga shtatori i vitit 2023.



