Kosova
Kryesore

Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane: Bllokada në Kuvendin e Kosovës është e pajustifikueshme dhe e rrezikshme

Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane ka reaguar lidhur me situatën politike në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e thellë për bllokadën e krijuar në Kuvend dhe mungesën e funksionalitetit institucional. Në një deklaratë zyrtare, Këshilli e cilëson këtë situatë si “paralizë të pajustifikueshme” që dëmton rëndë demokracinë dhe dobëson pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga bllokimi i vazhdueshëm politik dhe nga dështimi për të konstituuar Kuvendin në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Kjo paralizë institucionale minon besimin e publikut, dobëson shtetin dhe e lë Kosovën të pambrojtur në një kontekst global gjithnjë e më të paqëndrueshëm”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Po ashtu, Këshilli ka përshëndetur vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e vlerësuar atë si një mundësi të rëndësishme për të zhbllokuar situatën politike dhe për të kthyer vendin në rrugën e funksionimit institucional.

“Përgëzojmë Gjykatën Kushtetuese për vendimin e saj në kohën e duhur dhe përshëndesim njohjen nga ana e aktorëve kryesorë politikë se ky vendim ofron një rrugë të zbatueshme përpara. Kosova ka një traditë të krenuar të respektimit të sundimit të ligjit—edhe ky moment kërkon të njëjtën përkushtim”, thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli i bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të tregojnë përgjegjësi dhe të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi duhet të ecë përpara dhe të mos mbetet peng i krizave të brendshme.

Në përfundim të komunikatës, theksohet se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës është e fuqishme, por e njëjta kërkon qeverisje të përgjegjshme dhe koordinim efektiv nga institucionet e Kosovës.

“Këshilli mbetet plotësisht i përkushtuar për të shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për të përforcuar zërin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, përmbyllet reagimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button