Kosova

KESCO: Bizneset të nënshkruajnë kontrata energjie para 30 korrikut për të shmangur ndërprerjet

Zëvendësdrejtoresha ekzekutive e KESCO-s, Rudina Heroi – Puka, ka deklaruar në një intervistë për media se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një nga hapat më të rëndësishëm për sektorin energjetik në Kosovë, dhe se KESCO po luan një rol aktiv në këtë tranzicion, duke mbështetur të gjitha bizneset – jo vetëm klientët e saj të mundshëm.

Ajo tha se, që nga momenti kur morën njoftim nga ZRRE për kalimin e një kategorie të bizneseve në treg të hapur, KESCO ka ndërmarrë hapa konkretë: nga informimi i konsumatorëve për të drejtat dhe detyrimet e tyre, përgatitja e platformave teknike dhe administrative, deri tek trajnimi i stafit dhe strukturimi i ofertave.

“Objektivi ynë nuk ka qenë vetëm të përgatitemi për konsumatorët tanë potencialë, por të mbështesim të gjithë sektorin e biznesit, edhe nëse ata nuk zgjedhin KESCO si furnizuesin e tyre,” u shpreh Heroi – Puka.

Ajo konfirmoi se shumë biznese janë drejtuar te KESCO për informata dhe ndihmë. Deri më tani, janë nënshkruar rreth 100 kontrata dhe pritet një valë e re kërkesash para afatit të 30 korrikut – datë kur përfundon furnizimi i përkohshëm nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit.

Heroi – Puka theksoi se pas kësaj date, çdo biznes që nuk ka lidhur kontratë me një furnizues të licencuar, rrezikon të mbetet pa energji elektrike. “Prandaj kjo periudhë është kritike dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga bizneset,” paralajmëroi ajo.

Në funksion të kësaj, KESCO ka hapur qendrën KESCO Premium në Rrugën Fehmi Agani, ku ofron këshillim, informim dhe ndihmë për lidhjen e kontratave për të gjitha bizneset që operojnë në tregun e hapur. Po ashtu, është vënë në dispozicion edhe adresa elektronike [email protected] për kërkesa online.

KESCO garanton çmime konkurruese, transparencë dhe siguri të lartë për bizneset që vendosin të lidhen me të. Heroi – Puka apeloi që kontratat të lidhen para 30 korrikut, për të shmangur rrezikun e ndërprerjes së furnizimit me energji dhe ndaljes së aktivitetit afarist.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button