KryesoreLajme
Kryesore

Këlliçi gris pasaportën e Ramës: 11 Maji, dita kur Shqipëria u ngrit mbi 12 vite rrënim

Në mbyllje të fushatës elektorale në Tiranë, drejtuesi politik i qarkut, Belind Këlliçi, mbajti një fjalim të fuqishëm përpara mbështetësve demokratë. Ai e nisi me thirrjen për bashkim dhe krenari, duke theksuar se “Shqipëria do të jetë një vend më i mirë, dhe kjo është vepra juaj.”

Këlliçi kujtoi krizën e katër viteve më parë dhe ngritjen e opozitës nga ajo që e quajti një natë e gjatë e errët. Ai akuzoi Edi Ramën për shkatërrimin e vendit, ekonomisë dhe shpresës, ndërsa e cilësoi qeverisjen e tij si një “eksperiment makabër.” Në fjalimin e tij, Këlliçi premtoi zbatimin e një programi konkret brenda 100 ditëve nga fitorja e PD.
Ai theksoi se programi përfshin rritje pagash e pensionesh, ulje çmimesh për energjinë dhe naftën, si dhe mbështetje për shtresat në nevojë. “Nuk jemi kavie,” tha ai, duke i bërë thirrje qytetarëve të votojnë dhe të mos heshtin më. Fitoren e PD-së e cilësoi si fillimin e një epoke të re të meritokracisë dhe transparencës. Këlliçi e përmbylli me mesazhin se kjo nuk është vetëm një zgjedhje, por një çlirim për Shqipërinë.

Fjala e Këlliçit:

Të dashur miq, motra dhe vëllezër, demokratë dhe qytetarë të lirë të Shqipërisë!

Ja ku mbërritëm krenarë në orët e marshimit final drejt fitores. Mbërritëm plot entuziazëm në çastin historik të ndarjes së dy epokave.
Prezenca e juaj madhështore, është dëshmia e forcës sonë dhe prova e besimit tuaj.

Pas 48 orësh, Shqipëria do të jetë një vend më i mirë.
Dhe kjo është vepra Juaj!
Ju do ta bëni të tillë!
Ju, qytetarët e lirë që rezistuat.
Ju, që e kthyet dëshpërimin në shpresë,
shpresën në valë,
valën në frymë
dhe frymën në fitore.

Katër vite më parë prekëm fundin!
Shqipëria u kap nga mafia.
Krimi dhe korrupsioni morën një mandat të ri.
Opozita u shpërbë nga sekti famëkeq i rilindjes.
Pluralizmi rrezikoi zhdukjen.

Por ashtu si nata më e gjatë, që gdhin një ditë, u duk edhe rrezja e parë e agut.

Lindi një thirrje nga një foltore.
U bë zë.
U bë valë.
U bë frymë.

Për të sfiduar thuajse të pamundurën!
Për të ngjallur shpresën!
Për ti provuar mbarë botës se ne, Partia Demokratike e Shqipërisë, jemi partia që të pamundurën e bëjmë realitet.

Mirënjohje pafund, demokratëve e qëndrestarëve të cilët në këto 4 vite sprovash, padrejtësish, betejash dhe goditjesh, me një vetëmohim të pashembullt, shpëtuan PD, shpëtuan opozitën shqiptare dhe i dhanë shpresë një populli të tërë!

Miqtë e mi,

Kjo nuk është thjeshtë një betejë politike. As ora e fatit të një partie apo individi.

Kjo është lufta e duhur për dinjitetin tonë.
Për demokracinë, për Shqipërinë tonë.
Për të ardhmen që vendosim ne, jo për atë që donin të na impononin si një eksperiment të madh.

Eksperiment që synon shkatërrimin e shqiptarëve.

Provat janë aty, më të larta se kullat fantazmë të shijes monstruoze të një individi.

Edi Rama në 12 vite, i qëndroi besnik atij eksperimenti, prodhoi vetëm një gjë: shkatërrim.

Na shkatërroi 12 vite të shtrenjta jete.
shkatërroi ekonominë,
shkatërroi familjet,
shkatërroi Shqipërinë.
Detyroi 1 milionë shqiptarë të largohen.
Detyroi profesionistët të ikin.
Detyroi të rinjtë të marrin rrugët e të rrezikojnë edhe jetën si të iknin nga një vend lufte.

Por ai bëri edhe më shumë:
Pati një ide edhe më të rrezikshme.
Të klononte këtë shoqëri.
Të deformonte genin.
Të jetësonte eksperimentin makabër, duke na mësuar:

Se vjedhja është punë.
Se krimi është karrierë.
Se varfëria është stil jetese.
Se bandat janë integrim.
Se droga është shërim.
Se diktatura është ajo çfarë meritojmë.
Se antivlera është vlerë.

Ky ishte plani i tij, të na bëjë të durojmë, atë që na shkatërron.
Përndryshe të largohemi.

Por të dashur miq.
Shqiptarët u zgjuan, Zoti që i bekoi me natyrën, ua do shpirtin!
Ndaj e gjetën njëri-tjetrin, të ngjashmin dhe u ngritën.
Shqiptarët e kuptuan se vota nëse mbrohet, shndërrohet në armë!

Nëse ka ndonjë sot që mendon se vota nuk i vlen, i them kujtohu:

Ata që të vodhën, të tmerruan dhe të tallën, llogaritë i bënë pikërisht me heshtjen tënde.
Ky qe kushti i vetëm që eksperimenti të kish sukses.
Por ne nuk jemi kavie.
Boll më!

Shqipëria e së nesërmes nuk do të ndërtohet mbi gënjeshtra e premtime, por mbi rezultate.

Programi i Partisë Demokratike është i realizueshëm, i prekshëm për vetëm 100 ditë. Për çdo grupmoshë, komunitet e çdo shqiptar.
Me fitoren e PD pas 11 Majit,

1. Vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar
2. Rriten pensionet me 20%
3. Rroga minimale rritet në 500 euro
4. Rroga mesatare rritet në 1200 euro
5. Karta e Konsumatorit do hyjë në fuqi, duke i kursyer 450 euro në vit çdo pensionisti apo qytetari që jeton me minimum jetik.
6. Do ketë pagesë kujdestarie dhe sigurimesh për personat me aftësi të kufizuar.
7. Cmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë për kwh.
8. Cmimi i naftës do të ulet me 35%
9. Do të falen të gjitha gjobat për energjinë dhe ujin e pijshëm.

Miqtë e mi,

Fitorja jonë nuk është fundi, por vetëm fillimi.

Meritokracia, transparenca e llogaridhënia do të rikthehen në limfën shtetare si përbërësit jetikë të shtetit ligjor dhe demokracisë.
Kjo nuk është fitorja e një partie politike, por e Shqipërisë, jo asaj të parcelave me hashash, inceneratorëve fantazmë, krimit në pushtet, emigracionit masiv, skemave 5D apo 5B.

Kjo nuk është vetëm një zgjedhje.
Është një çlirim.
Është një kthesë.
Është dita jonë.
Është dita e Shqipërisë Madhështore, mbi pasaportën e rrënimit që prodhoi Edi Rama këto 12 vite.

Faleminderit!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button