KEK do të jetë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit deri më 30 janar 2026, bizneset duhet të lidhin kontrata të reja për të shmangur ndërprerjen e rrymës

KEK-u do të vazhdojë të jetë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) për bizneset deri më 30 janar 2026, pas vendimit të marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) më 12 qershor 2025. Ky vendim u mor pas presionit nga komuniteti i biznesit, i cili ka shprehur shqetësime të thella për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Skënder Krasniqi, ka kërkuar shtyrje të vendimit për së paku një deri në dy vjet. Sipas tij, shumica e bizneseve nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontrata me KEK apo KEDS për shkak të rritjes enorme të çmimeve dhe mungesës së konsultimeve paraprake.
“Qeveria dhe ZRRE-ja po tentojnë të detyrojnë bizneset të hyjnë në kontrata për çmime të panjohura, duke mos ofruar garanci për faturimet mujore”, deklaroi Krasniqi për Radio Kosovën. Ai theksoi gjithashtu se dhjetëra biznese tashmë kanë fituar raste në gjykatë kundër këtij vendimi dhe kërkoi që gjykatat të marrin një vendim të përgjithshëm për të gjithë sektorin.
Në anën tjetër, ZRRE ka sqaruar se qëllimi i vendimit të 12 qershorit është sigurimi i furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së tranzicionit drejt liberalizimit të tregut. Megjithatë, sipas nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike, një konsumator mund të qëndrojë nën shërbimin e FMF-së vetëm për 60 ditë nga kalimi në këtë status.
Kjo nënkupton se për bizneset që kanë kaluar te FMF më 1 qershor 2025, KEK nuk ka më obligim ligjor për të vazhduar furnizimin pas datës 30 korrik 2025. Pas kësaj date, bizneset që nuk kanë zgjedhur një furnizues të ri rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike.
ZRRE dhe KEK u bëjnë thirrje bizneseve që të përfundojnë sa më parë procesin e përzgjedhjes së furnizuesit të ri dhe të lidhin kontrata komerciale për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji.