Lajme

Autoritetet zvicerane ngrejnë aktakuzë ndaj dy personave për veprimtari të paligjshme

Autoritetet zvicerane kanë ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari terroriste dhe mbështetje të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS). Njëri prej tyre është një 36-vjeçar me origjinë nga Kosova, ndërsa tjetri është një 33-vjeçar me shtetësi të dyfishtë zvicerane dhe të Maqedonisë së Veriut.

Në njoftimin zyrtar të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, bëhet e ditur se të dy të pandehurit akuzohen për përhapje të ideologjisë salafi-xhihadiste të ISIS-it, përmes takimeve të rregullta dhe aktiviteteve të pavarura. Ata dyshohet se kanë qenë pjesë aktive e një organizate terroriste që ka marrë formë pas mbylljes së shoqatës “Këshilla” në Kosovë, rreth viteve 2014-2015.

Organizata në fjalë, me rrënjë në Kosovë, synon jo vetëm rekrutimin e ndjekësve dhe përhapjen e ideologjisë ekstremiste, por edhe destabilizimin e vendit me qëllim krijimin e një regjimi islamik sipas Sheriatit në një rajon të caktuar.

Të dy të akuzuarit përballen me një listë të gjerë veprash penale, përfshirë:

Pjesëmarrje në një organizatë terroriste;

Mbështetje të ISIS-it;

Ryshfet ndaj zyrtarëve të huaj;

Pengim të procedurave penale;

Pastrim parash;

Falsifikim dokumentesh;

Mashtrim për përfitim tregtar.

Shtetasi kosovar, përveç këtyre akuzave, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme ndihma financiare për fëmijët e tij, ndonëse ata ishin larguar nga Zvicra dhe kishin emigruar përgjithmonë në Kosovë bashkë me nënën e tyre.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër akuzohet se ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij për takime me natyrë ekstremiste dhe ka ndihmuar në organizimin e vizitave të predikuesve të huaj që promovojnë ideologjinë e ISIS-it. Ai gjithashtu dyshohet se ka kontribuar financiarisht në mbështetje të organizatës, duke paguar rregullisht një shumë mujore si dhe duke mbledhur fonde për kauzën ekstremiste.

Hetimet ndaj këtyre rasteve po vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet zvicerane e konsiderojnë këtë rast si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button