Kosova

Kastrati: Kosova ka nevojë urgjente për helikopterë, anëtarësimi në NATO do ta qetësonte rajonin

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka folur në dyvjetorin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku në Banjskë, duke theksuar se institucionet e sigurisë duhet të rrisin kapacitetet përballë kërcënimeve nga Serbia.

Në një intervistë për Tëvë1, Kastrati tha se inteligjenca e Kosovës ka qenë në dijeni për hyrjen e një grupi terrorist nga Serbia në territorin e vendit, por nuk e ka ditur qëllimin e tyre. Ai shtoi se sulmi në Banjskë ishte me përmasa të mëdha dhe për herë të parë Policia e Kosovës është përballur me një akt të tillë terrorist.

“Republika e Kosovës duhet urgjentisht të blejë helikopterë për Ushtrinë dhe Policinë, sepse kapja e tyre do të ishte shumë më e lehtë nga ajri, sesa ndjekja në zonat malore duke rrezikuar jetën e policëve”, tha ai.

Kastrati theksoi se në vijat kufitare Kosova duhet të ketë policë elitarë, sikurse forcat speciale, pasi në të ardhmen priten sfida dhe provokime të vazhdueshme nga Serbia. Ai shprehu habinë që 25 vite pas luftës ende nuk ka një ligj për sigurimin jetësor të policëve të Kosovës.

Duke folur për proceset gjeopolitike, ai u shpreh se anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës në NATO do ta ndryshonte balancën në rajon.

“Momenti që Bosnja e Hercegovina dhe Kosova anëtarësohen në NATO, Serbia do të jetë e rrethuar nga shtetet e NATO-s dhe nuk do të ketë rrugëdalje tjetër, përveçse të kthehet kah bota normale. Kjo do të jetë një qetësues për Evropën”, u shpreh Kastrati.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button