Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, u ekstradua në Hagë më 28 qershor 2001

Më 28 qershor 2001, Sllobodan Millosheviq, ish-presidenti i Serbisë dhe i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, u ekstradua drejt Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, pas një urdhri të lëshuar nga Qeveria e Serbisë.
Millosheviq ishte arrestuar në Beograd më 1 prill 2001, nën akuzat për përgjegjësi në vdekjen e dhjetëra-mijëra njerëzve gjatë luftërave në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Aktakuza e parë ndaj tij u publikua më 27 maj 1999, duke e akuzuar për krime lufte në Kosovë. Më vonë, ajo u zgjerua me akuza për krime në Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjykimi ndaj Millosheviq nisi më 12 shkurt 2002 në Hagë. Procesi i nxjerrjes së dëshmive zgjati deri më 25 shkurt 2004, ndërsa faza e mbrojtjes filloi në fund të gushtit të po atij viti. Megjithatë, procesi gjyqësor u ndërpre shumë herë për shkak të problemeve serioze shëndetësore të Millosheviqit, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe tensionin e lartë të gjakut.
Më 22 shkurt 2006, ai deklaroi se nuk ishte në gjendje të vazhdonte marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ndërsa më 24 shkurt iu refuzua kërkesa për t’u trajtuar në Rusi.
Më 11 mars 2006, rreth orës 09:30, Millosheviq u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë.