Kosova

Policia e Kosovës: Masat e sigurisë në fuqi për shënimin e Vidovdanit – Kurti paralajmëron përpjekje destabilizuese nga Beogradi

Sot serbët shënojnë festën e Vidovdanit, një ngjarje tradicionale fetare që organizohet çdo vit në Gazimestan, në periferi të Prishtinës. Autoritetet në Kosovë kanë marrë masa të shtuara të sigurisë për të garantuar një zhvillim të qetë të manifestimeve.

Policia e Kosovës njoftoi se ka ndërmarrë të gjitha masat planifikuese, parandaluese dhe operative për menaxhimin e rendit publik, orientimin e trafikut dhe ruajtjen e sigurisë gjatë kësaj dite. Përmes një komunikate zyrtare, Policia ka apeluar për manifestim të qetë dhe shmangie të çdo provokimi, ndërsa paralajmëroi për bllokime apo riorientime të mundshme të trafikut në zonat përreth Gazimestanit.

Sipas Policisë, planet operative janë ndarë edhe me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në një takim të posaçëm koordinues për të siguruar zhvillimin pa incidente të kësaj feste.

Ndërkohë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësime lidhur me përpjekjet e mundshme për destabilizim gjatë tubimeve për Vidovdan. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ai deklaroi se autoritetet e Beogradit po keqpërdorin karakterin fetar të kësaj dite për qëllime politike e destabilizuese.

“Beogradi zyrtar, që po përballet me protesta masive, mund të shfrytëzojë këtë festë për të zhvendosur vëmendjen nga kriza e brendshme politike dhe për të nxitur tensione në Kosovë”, theksoi Kurti.

Ai paralajmëroi se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, për të marrë pjesë në Gazimestan, shumë prej të cilëve, sipas inteligjencës kosovare, mbajnë simbole nacionaliste serbe dhe ruse që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat demokratike.

Kurti u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të respektojnë ligjin, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët të shmangin çdo lloj provokimi.

“Tubimet për Vidovdanin duhet të jenë fetare e kulturore, jo mjete propagandistike për interesa të jashtme”, përfundoi Kurti, duke siguruar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rendit publik për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.

Vidovdani është një datë me simbolikë të rëndësishme për komunitetin serb, por në të kaluarën është shfrytëzuar për retorikë nacionaliste dhe tensione ndëretnike. Autoritetet kosovare shprehen të gatshme të reagojnë ndaj çdo tentative që mund të cenojë sigurinë publike dhe stabilitetin institucional në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button