Kapet në Dubai rrjeti i të shumëkërkuarit Talo Çela, mes tyre tre shqiptarë të rrezikshëm

Tre shtetas shqiptarë të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër jetës janë arrestuar në Dubai, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Wanted”. Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga kanë rënë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të gjithë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të konsideruar mbështetës të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Ervis Daka ishte subjekt i një mase sigurie “arrest në burg”, vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) në vitin 2024, për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “Vrasje me paramendim” (mbetur në tentativë), “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Ai dyshohet se ka informuar atentatorët për lëvizjet e shtetasit K. P., ka ndihmuar në organizimin e një atentati ndaj shtetasit A. S., si dhe ka strehuar dhe ndihmuar për një periudhë të gjatë Talo Çelën, duke i siguruar kushte për jetesë dhe arrati.
Maksim Koçi, gjithashtu me masë sigurie “arrest në burg” nga GJKKO në vitin 2024, akuzohet për vrasje me paramendim për motive hakmarrjeje dhe interesi, sigurimin e kushteve për atentate të tjera, si dhe përkrahje të autorit të krimit. Provat hetimore e lidhin Koçin me vrasjen e shtetasve K. K. dhe I. A., si dhe me ndihmën ndaj Talo Çelës për t’u fshehur nga drejtësia.
Ado Xhika rezulton të ketë mbajtur lidhje të vazhdueshme me Talo Çelën për afro dy vite, duke i krijuar kushte për jetesë gjatë arratisë. Ai akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe sipas burimeve, madje ka ndërmjetësuar për një intervistë të mundshme të Talo Çelës me një gazetar.
Aktualisht, Interpol Tirana është në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, për të mundësuar ekstradimin e tre shtetasve drejt Shqipërisë, ku do të përballen me drejtësinë.