Ka filluar rinumërimi dhe numërimi i votave me kusht për zgjedhjet lokale në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të martën ka filluar rinumërimi në disa vendvotime dhe numërimi i votave me kusht pas përfundimit të numërimit të votave me postë nga jashtë Kosovës.
Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit përfundoi të hënën rreth mesnatës. Mbi 44.000 qytetarë kishin të drejtë të votonin me postë nga 17 shtatori deri më 11 tetor.
Rinumërimi po zhvillohet në disa komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa:
Mitrovica e Jugut – dy vendvotime, ku nuk pati fitues në rundin e parë. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit. Autoritetet po hetojnë gjithashtu për dyshime për keqpërdorime të mundshme të votave në këtë komunë, për shkak të dallimeve të mëdha mes sondazheve fillestare dhe rezultatit preliminar.
Kamenicë – një vendvotim, ku rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj, fitoi qysh në rundin e parë me mbi 51% të votave.
Podujevë – një vendvotim, ku kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi, fitoi bindshëm në rundin e parë.
Po ashtu, KQZ njoftoi se ka nisur edhe numërimi i votave të votimit me kusht dhe të votuesve me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa 3.467 votues me nevoja të veçanta kanë votuar përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve. Janë 2.119 zarfe me fletëvotime me kusht që do të numërohen.
Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor. Në shumicën e komunave nuk u zgjodh kryetari në rundin e parë, kështu që rundi i dytë do të mbahet më 9 nëntor, përfshirë edhe Prishtinën. Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58% e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.
Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë komunat e tjera kryetarët janë zgjedhur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.



