Rajoni

Parlamenti Evropian miraton rezolutë të ashpër ndaj Serbisë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe korrupsion

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të fortë me 31 pika ndaj Serbisë, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen politike, shkeljet e të drejtave të njeriut, shtypjen e mediave dhe korrupsionin e përhapur në vend, raporton Nova.

Rezoluta, e cilësuar si një ndër më të ashprat e miratuara ndonjëherë ndaj një vendi kandidat për anëtarësim në BE, kritikon hapur autoritetet serbe për përhapjen e propagandës anti-BE dhe pro-ruse, përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe frikësimin e gazetarëve e aktivistëve.

Në dokument, eurodeputetët kërkojnë masa të menjëhershme për të ndalur represionin politik, për të garantuar lirinë e medias dhe për të ndëshkuar abuzimet me pushtetin.

Në mesin e 31 pikave, Parlamenti Evropian:

Kërkon hetime të plota për tragjedinë e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një strehë në stacionin hekurudhor;

Dënon dhunën policore dhe arrestimet arbitrare ndaj protestuesve dhe gazetarëve;

Kërkon lirimin e aktivistëve politikë të arrestuar gjatë protestave të 15 marsit dhe 28 qershorit 2025;

Shpreh shqetësim për tortura dhe abuzime fizike ndaj të ndaluarve;

Kritikon përdorimin e faljeve presidenciale për persona të përfshirë në dhunë;

Dënon përhapjen e narrativave nacionaliste si “Serbia e Madhe” dhe “Bota Serbe”, të cilat, sipas BE-së, minojnë stabilitetin rajonal;

Kërkon sanksione të synuara ndaj zyrtarëve serbë përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit;

Kërkon një mision ad hoc të BE-së në Serbi për të vlerësuar nga afër situatën e demokracisë dhe protestave.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të kushtëzojë përparimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë me reforma reale në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit.

Në fund të rezolutës, Parlamenti Evropian i bën apel vendeve pjesëmarrëse në EXPO 2027 në Beograd që të marrin parasysh “shqetësimet serioze për korrupsionin dhe mungesën e standardeve ndërtimore në projektin e EXPO-s”.

Rezoluta do t’u dërgohet të gjitha institucioneve përkatëse të BE-së, autoriteteve të Serbisë, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button