“Ju nuk keni humbur!” – Mesazh prekës për demokratët e Matit, Bulqizës e Peshkopisë pas zgjedhjeve

Pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit, një mesazh i fuqishëm solidariteti dhe mirënjohjeje është drejtuar demokratëve të Matit, Bulqizës dhe Peshkopisë, qëndresës së tyre përballë presioneve, manipulimeve dhe shantazheve elektorale.
Në këtë mesazh publik, përmendet me theks sakrifica e anëtarëve të Partisë Demokratike në Klos dhe Burrel, të cilët, përkundër përballjes me banda kriminale dhe pushtetin, qëndruan në mbrojtje të votës së lirë. “Përballë shantazhit e miliardave… komisionerë, numërues e vëzhgues që janë historia e shpirtit të PD”, thuhet në fjalimin prekës.
Mirënjohje u është shprehur edhe votuesve të majtë që, sipas mesazhit, treguan qytetari dhe fisnikëri tejpartiake: “Sepse ne kishim dhe kemi një synim – të jetojmë së bashku si njerëz normal në trojet e të parëve. Mati është shtëpia jonë e përbashkët.”
Mesazhi vijon me një pasqyrim emocional të zhgënjimit dhe dhimbjes që po përjeton një pjesë e elektoratit, por edhe me një thirrje për shpresë e rikthim:
“Unë e preva biletën… Do të kthehemi më të shumtë për të fituar bashkë. Do të presim biletën për t’u kthyer!”
Duke e cilësuar rezultatin si “gjenocid elektoral”, autori i mesazhit përshkruan kontrastin mes krenarisë së qytetarëve dhe heshtjes së “fituesve” që, sipas tij, e dinë brenda vetes se nuk janë legjitimë.
Në përfundim, ai pranon se përfaqësuesit e opozitës “duhej të kishin bërë më tepër”, ndërsa qytetarët demokratë kanë mbajtur të gjallë shpirtin e Demokracisë.
“Në kutitë e votimit është keqbërja. Është abuzimi. Është shitblerja. Është kanosja. Është Mafia. Nuk është vullneti juaj.”
Ky mesazh është një thirrje për unitet, reflektim dhe vazhdim të betejës demokratike – jo thjesht për një forcë politike, por për idealin e një shoqërie të drejtë dhe të lirë.