Goditet një call center që kryente mashtrime kompjuterike, 7 të arrestuar dhe 4 nën hetim

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të krimeve kibernetike dhe financiare, ka goditur një tjetër rast të mashtrimeve kompjuterike, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Platforma” dhe operacionit policor “Recovery”.
Si rezultat i këtij operacioni, u zbulua një call center i përshtatur për veprimtari kriminale në katin e parë të një ndërtese në rrugën “Janos Hunyadi”, në Tiranë. Ky subjekt shfrytëzohej për mashtrime përmes internetit, duke manipuluar viktimat për qëllime përfitimi financiar.
Nga ndërhyrja e policisë, u arrestua një nga organizatorët e dyshuar të kësaj skeme kriminale, shtetasi A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë. Dy bashkëpunëtorët e tij, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç, ndodhen ende në kërkim, ndërsa vijojnë përpjekjet për kapjen e tyre.
Po ashtu, në pranga ranë edhe gjashtë punonjës të këtij call center-i:
I. K., 33 vjeç, banues në Farkë
L. V., 22 vjeç, banues në Krujë
E. H., 38 vjeç, M. M., 33 vjeç, D. R., 34 vjeç, A. P., 36 vjeç – të gjithë banues në Tiranë
Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë edhe katër persona të tjerë:
A. P., 40 vjeçe
V. A., 38 vjeçe
K. A., 24 vjeçe
S. M., 38 vjeç – banues në Tiranë
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi pajisje kompjuterike dhe celularë të cilët shërbenin për realizimin e mashtrimeve.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se do të vijojë me vendosmëri goditjen e aktiviteteve të paligjshme dhe fton çdo person që ka dijeni për veprimtari të kësaj natyre, të denoncojë përmes numrit 112 ose aplikacionit “Komisariati Dixhital”.