Jorida Tabaku: Diaspora ka fuqinë të vendosë për të ardhmen e Shqipërisë – Votoni për një Shqipëri Europiane

Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm për diasporën shqiptare, duke e cilësuar 11 majin si një mundësi historike për të ndikuar në fatin politik të vendit.
Në një video-mesazh drejtuar bashkatdhetarëve jashtë vendit, Tabaku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të diasporës në vendimmarrjen politike dhe përfaqësimin real në Parlamentin e ardhshëm.
“Europa për mua nuk është një slogan, as retorikë politike. Europa është një besim – një rrugë që do ta çoj përpara çdo ditë në Parlament,” u shpreh ajo, duke shfaqur vendosmërinë për të punuar për një Shqipëri me standarde europiane në fusha kyçe si ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.
Tabaku nënvizoi se diaspora ka fuqinë të zgjedhë zërin e saj në Kuvend, duke theksuar se ky është momenti për të kontribuar në ndërtimin e një Shqipërie që funksionon për qytetarët.
“Me besimin tuaj, me votën tuaj, nesër për një Shqipëri Europiane. Votoni Partinë Demokratike. Votoni për familjen shqiptare. Votoni për ndryshimin e një sistemi që nuk punon për shqiptarët,” përfundoi Tabaku, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në fushatën e saj zgjedhore, e cila po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.